Ish-kandidati i PS-së shkon te Nisma Thurje, sfidon Dhimitraq Tolin në Dropull, Shabani: Ka shanse reale të fitojë bashkinë (VIDEO)
Endrit Shabani, kryetari i “Nismës Thurje” ka bërë me dije se në zgjedhjet lokale të 14 majit, do të kandidojnë për këshillat bashkiakë në 3 bashki, Tiranë, mat dhe Korçë. Ai bëri me dije se për të provuar veten do të zgjedhin të garojnë edhe në një bashki të vogël siç është ajo e Dropullit, ku u shpreh se ka mundësi edhe të fitojnë. Kandidati për Dropullin është Kostas Garos, i cili në zgjedhjet e vitit 2021 ishte kandidat për deputet i Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër.
“Duke qenë se nuk mund të paraqitemi vetëm me këshilla bashkiakë kemi vendosur të provojmë veten edhe në një bashki të vogël, atë të Dropullit”, ka deklaruar Shabani.
Kështu për Dropullin janë në lojë 3 kandidatë, Dhimitraq Toli i PS, Athanas Maneka nga PBDNJ e PD, si dhe Kostas Garos i Nismës Thurje. Me hyrjen e Garos në lojë, duket se formalisht ndërlikohen pozitat e kandidatit të PS-së. Garo dy vite më parë ka marrë vota të elektoratit të majtë. Këtë radhë i bie që këto vota t’i marr nga “thesi” i votave të PS-së.