Nardi Hide takim me gratë në Nepravishtë: Nuk është në nderin e Libohovës të bëhet streha e nongratës së damksour
Kandidati i PS-së në Libohovë, Nardi Hide, zhvilloi një takim me gra e vajza në fshatin Nepravishtë. Në takim ishte e pranishme edhe ministrja e deputetetja Mirela Kumbaro. Hide thotë se dallim është si mes dy botëve dhe se Libohova nuk mund të bëhet streha e nongratës së damkosur brenda e jashtë vendit. Më poshtë reagimi i tij i plotë.
Me zonjat e Nepravishtës që të shohin në sy e të flasin me zemër në një takim të hapur për sfidën e 14 majit prej së cilës ne do të dalim faqebardhë. Jo vetëm që kemi provën e shumë punëve të bëra dhe një Projekt të Ri për të vijuar me investimet dhe shërbimet në çdo lagje e fshat të Bashkisë Libohovë, por modeli ynë as nuk ka të krahasuar me ata që kemi përballë. Dy botë krejt të ndryshme!
Ata mbjellin vrer e përçarje, ne mbjellim shpresë e gjelbërim, ata kurrë nuk ngulën një gozhdë në Libohovë kur i kishin të gjitha pushtet bashkë, ne kemi bërë shumë më shumë se kushdo më parë që e ka pasur Libohovën. Rivali im ka një listë si menu dëshirash të stisura sa për të marrë votën për llogari të Saliut dhe Ilirit. Po ç’të mirë ka parë Nepravishta e Libohova nga Saliu dhe Iliri? Asgjë! Kurrë!
Me po atë përkushtim e dashuri që ju jepni në familje si gra e vajza, si nëna e motra, duhet të shtojmë radhët tona dhe të refuzojmë kthimin mbrapa. Nuk është në nderin e Libohovës, Nepravishtës, Zagorisë, Labovës, Bulos e fshatrave të tjerë që të bëhen streha e nongratës së damkosur brenda e jashtë vendit. Duhet të shkojmë përpara!