Rama në Libohovë: Nëse doni të fusni qytetin në gropë jepini votën PD-së
Kryeministri Edi Rama mesditën e kësaj të shtunë ka qenë në Libohovë ku ka prezantuar kandidatin për në krye të kësaj bashkie.
Rama në fjalën e tij është shprehur se është e rëndësishme që me 14 maj, në Libohove me votën e tyre të shkohet përpara dhe të vijojnë projektet e nisura.
“Gjithçka ishte zymtë në këtë vend dhe realisht pyeta veten që si ka mundësi që ka akoma njerëz në Libohovë që vazhdojnë të rrinë në këtë lloj kurthi ku ishte gjëja më e natyrshme të dilje ndërsa të rrije ishte gjëja më e pabesueshme. Libohova ishte një nga pikat ku ndërhyrjet tona do të sillnin jetë e shpresë e ardhmëri, e siç ka ndodhur në shumë vende do të sillnin farat e para të agroturizmit.
Që të vazhdojmë këtë punë libohovitët duhet të na japin mundësi, ishte fat që kishim Lizën këtu që ishte njeri i punës e i familjes e ne mund të çonim para këtë projekt. Kthimi mbrapa me një votë që shkon qorrazi tek tuk, tek ata që nuk kanë ardhur këtu për të vazhduar punën e për të ndriçuar rriën e të ardhmes së Libohovës por kanë ardhur për ta marrë peng siç e kishin, jo se ne do të hakmerremi politikisht për një votë qorre por nuk e bën dot se ata as nuk dinë e as nuk duan.
Kemi shembuj të pafundëm që provojë atë që them, ata e kishin Lobohovën çfarë bënë, morën zyrat e nuk ka më asgjë për komunitetin mbaron aty me ca mediokër, fanatikë e dembelë që bëhen bashkë e shohin vetëm punët e tyre. Edhe ato pak fonde që janë në dispozicion i harxhojnë rrush e kumbulla ndërkohë që fondet e tjera nuk mund t’i marrin dot se janë të paaftë.
Ata vetëm shajnë kërcënojnë janë sherri e shamataja. Ne kemi ardhur këtu, janë disa karrige për tu ulur ju e ne nuk ka postera e skena me ekrane, do i kemi vetëm për takimet e fundit por gjitha këto janë para që ne i kemi kursyer e i kursejmë për t’i dhuruar pemë disa bashkive, janë mbi 25 mijë që do i shtohen pasurisë së gjelbërt të qyteteve tona.
Këtu nuk kishte asnjë pikë ujë e s’kishte për të ardhur ndonjëherë. Mos të harrojmë që nuk e kemi gjetur rrugën shtruar se nuk po i kthehemi gropave por nëse doni ta fusni Libohovën në gropë jepini votën atyre.”- tha Rama.