Përballja për Libohovën, merita që duhet t’i njohim Adil Xhelilit
Libohova foli. Në përballjen e pazakontë mes dy kushërinjve triumfoi Leonard Hide i mbështetur nga Partia Socialiste. Edhe pse bashkia e dytë më e vogël në rang vendi e pa ndonjë rëndësi ekonomike apo administrative, Libohova arriti të prodhonte një garë të fortë deri për votat e fundit.
Në dallim nga shumica e bashkive të tjera të Shqipërisë ku zgjedhjet ishin veçse një formalitet për shkak të opozitës së shpartallluar, Libohova e vogël pati një konkurrencë për të cilën kishim nevojë ta shihnim e ta jetonim. Merita për këtë i takon kandidatit të PD, Adil Xhelili.
Ai shkoi drejt një gare jo të barabartë ku papritur mësoi se përballë do të kishte edhe kushëririn e tij të parë duke ia rënduar vetes më shumë pozitat. Xhelili bëri një garë me Hiden që kishte nga mbrapa qeverinë e bashkinë, që kishte një suport më të madh logjistik dhe të gjitha lehtësitë e tjera që të krijon pushteti.
Hyri në fushë duke mbajtur mbi supe edhe ngarkesat negative të koalicionit Berisha-Meta kaq shumë të damkosur e anatemuar brenda vendit e ndërkombëtarisht. Pavarësisht se s’ka lidhje as me kusuret e Berishës e Metës, në një farë mënyre edhe Adil Xhelilin e përndoqi jo pak stigma si kandidat i nongratës e Like floririt. Kjo ishte një etiketë për të njësoj si për të gjithë kandidatët e tjerë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në 60 bashkitë e tjera.
Por përtej këtyre ai qëndroi deri në fund duke i dhënë Libohovës në këto palë zgjedhje një garë të fortë e duke humbur jo me ndonjë diferencë shumë të madhe, rreth 150 vota. Duke mos pasur asgjë në dorë, por thjesht duke “shitur” ëndrra e duke treguar më shumë një listë dëshirash sesa projekte konkrete të shifrueshme e të realizueshme, Adil Xhelili mblodhi pas vetes së tij shumë vota, që ishin më tepër lidhje të tij personale sesa vota të PD-së me apo pa vulë. Në kulmin e pushtetit të Edi Ramës, që me ç’duket do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, nuk është një gjë e lehtë të dalësh si opozitar në zgjedhje.
Adil Xhelili i qëndroi betejës deri në fund, bëri gjithçka kishte në dorë dhe rezistoi përballë të gjithëve derisa humbi me dinjitet. Dikush mund të thotë se s’ka bërë asnjë heroizëm se në fund të fundit ky ishte pozicioni i tij. Edhe ky këndvështrim qëndron, por kemi plot raste të tjera opozitarësh që janë hedhur në krahët e pushtetit të Ramës e kanë bërë pazar me të në përfitim të diçkaje. Adil Xhelili besoi dhe rezistoi deri në fund në bindjen apo krahun që kishte zgjedhur.
Bëri betejën e tij dhe humbi me kokën lart përballë kushëririt dhe përballë të gjithëve. Për këtë duhet përgëzuar dhe meriton respekt. Gara e fortë në Libohovë ishte meritë e tij mbi të gjitha pasi pa pasur asgjë në dorë për të ofruar e premtuar ia doli mbanë të mobilizonte kaq shumë votues. Nuk ishte një garë programore me përballje projektesh apo idesh për zhvillimin e Libohovës. Asnjë nga kandidatët nuk pati program. Copëzat që hidheshin në muret e Facebook ishin më shumë listë dëshirash e folklorizëm sesa program i mirëfilltë elektoral. Por brenda anormalitetit shqiptar me politikë tallava, është e kotë që ne të pretendonim program elektoral nga Adil Xhelili e Leonard Hide.
Nuk ia kërkuam këtë gjë! Libohova zgjodhi të shkojë përpara me Leonard Hiden jo vetëm për shkak të cilësive të tij si kandidat, por edhe sepse ishte kandidati që ofronte më shumë siguri për shkak se kishte mbështetjen e qeverisë. Në kushtet që jemi kjo ishte zgjidhja më racionale. Bashkia Libohovë pa pasur qeverinë me vete nuk bën dot asgjë sepse s’ka të ardhura të mjaftueshme. Adil Xhelili edhe sikur të fitonte s’kishte çfarë të bënte me Libohovën. Nuk e ndalte dot as shpopullimin as mbylljen e shkollave e as nuk iu jepte dot zgjidhje shumë problemeve të tjera.
Po të bëhej kryetar bashkie do të dëgjonim prej tij refrenin; qeveria s’na jep lekë, qeveria na diskriminon se jemi bashki e djathtë. Thënë këto kushdo në vend të tij pa pasur suport nga qeveria nuk iu jep dot drejtim punëve në Libohovë prandaj fitorja e kandidatit të qeverisë është një zgjedhje shumë pragmatiste. Sfida sot e tutje është e Leonard Hides për të justifikuar besimin që mori dhe për të qenë kryebashkiaku edhe i atyre që nuk e votuan. Kjo është “lufta” më e madhe që zgjat 4 vite. Beteja një mujore me kushëririn duhet lënë mbrapa si një garë e mirëfilltë për të cilën Adil Xhelilit na takon t’i njohim meritën që e bëri kaq të fortë dhe e çoi deri në fund. ©Libohova Online