Papa përlotet nga prifti shqiptar, e dënuan se mbajti meshë për Kenedin
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Papa Françesku ka dëgjuar edhe rrëfimet e dy prej priftërinjve që janë dënuar nga regjimi komunist.
Një prej tyre është edhe Dom Ernest Troshani.
Ai ka thënë se jë prej arsyeve që e kanë përndjekur, ka qenë se mbajti një meshë për vdekjen e presidentit amerikan, Xhon Kenedi.
“Me datën 24 dhjetor 1963, sapo mbarova kremtimin e Meshës së Vigjiljes së Krishtlindjeve në fshatin Barbullush të Shkodrës, me vijne katër oficerë të sigurimit e më paraqesin dekretin e arrestimit dhe të pushkatimit. Më vunë hekurat duke m’i lidhur krahët pas shpinës dhe duke më goditur me shkelma, me futën në makinën e tyre. Nga kisha më çuan në dhomat e izolimit, ku më lanë për tre muaj në kushte cnjerëzore jetese. Ashtu të lidhur më çuan në hetuesi.
Kryehetuesi më tha: “Ty do të të varim në litar si armik sepse i ke thënë popullit që të vdesim të gjithë për Krishtin po qe nevoja”. M’i shtrënguan hekurat aq fort në duar sa që gati me penguan sistolacionin e zemrës e gati pata vdekur. Donin të më bënin të flisja kundës fesë dhe kundër hierarkisë kishtare. Unë nuk pranova asgjë. Nga torturat rashë gati i vdekur. Kur e panë këtë hetuesit më liruan. Zoti deshi që të vazhdoja të jetoja.
Një ndër akuzat ishte edhe kremtimi i tri Meshëve për shpirtin e presidentit amerikan Xhon Kenedit të vrarë një muaj para arrestimit tim, Meshë të cilat i kremtova sipas urdhrit të Papës Pali VI të dhënë të gjithë meshtarëve të botës.
Unë isha i abonuar në revisten kryesore sovjetike “L’union Sovietique”, në frangjisht. Kjo ndërkohë që Shqipëria i kishte shkëputur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Revistën, në të cilën gjëndej fotoja e presidentit amerikan e paraqiten në gjyq si provë materiale.
Një rrethanë e provanisë hyjnore, bëri që dënimi im me vdekje të mos ekzekutohej: Në dhomat e izolimit më sollën edhe një të burgosur tjetër, i cili ishte edhe miku im më i dashur, por që në këtë rast kishte qenë spiun. Ai filloi të fliste kundër partisë në pushtet, por unë i përgjigjesha gjithnjë se Krishti na ka mësuar t’i duam armiqtë tanë dhe t’i falim ato e të punojmë për të mirën e për begatinë e popullit.
Këto fjalë shkuan në vesh edhe të diktatorit, i cili pas pesë ditësh ma hoqi dënimin me vdekje. Por këtë dënim ma shndërruan në 18 vite burg në minierat e Spaçit. Pasi përfundova burgun, më dënuan sërish me punë të detyruar: për dhjetë vite (pra deri në rëniet e komunizmit), kam punuar nëpër kanalet e ujërave të zeza”, ka thënë prifti gjatë rrëfimit të tij.
Kjo e ka emocionuar Papën, që është përlotur nga rrëfimi i tij.