Nuk paguanin dritat, 30 familjeve në Lazarat u ndërpritet energjia elektrike
30 familjeve në fshatin Lazarat u është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, gjatë ditës së djeshme, për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve të konsumit, për periudha të ndryshme kohore.
Drejtori I OSHE Gjirokastër Andi Shkurta tha se detyrimet e debitorëve në këtë fshat arrijnë vlera të konsiderueshme financiare. Sipas të dhënave nga OSHE Gjirokastër për periudhën korrik – gusht janë arkëtuar 100 milion lekë të vjetra vetëm në fshatin Lazarat, nga debia e akumuluar në vite.
Paralelisht, aksioni i task – force është përqendruar edhe në prerjen e lidhjeve të paligjshme, që vetëm gjatë ditës së djeshme, ka shkuar në 16 lidhje.
Shkurtaj tha se në vijim puna do të përqendrohet në vjeljen e vlerës financiare të faturave të pashlyera, prerjen e linjave të furnizimit të lidhura privatisht, si dhe kontrollin e verifikimin e aparateve matës aty ku dyshohet për abuzime.
Gjatë muajve të fundit OSHE Gjirokastër ka intensifikuar punën në terren, ndërsa mësohet se humbjet në rrjet kanë pësuar rënie nga 57.8 % në 28.04%.
Ndërkohë, drejtori Shkurta bën me dije se OSHE nuk ofron shërbim për debitorët. Rasti më i fundit është ai i një lagjeje në fshatin Lazarat e cila rezulton 100% debitore dhe prej 12 ditësh janë pa energji elektrike, informon Ora News.
Në rrethin Gjirokastër gjatë muajve gusht – shtator janë ndërprerë 80 lidhje të paligjshme dhe ndërprerë energjinë 514 debitorëve në rrethin Gjirokastër prej të cilëve 455 debitorë familjarë dhe 59 biznese.