Serbia drejt legalizimit të marijuanës
Ministri i Shëndetësisë së Serbisë, Zlatibor Lonçar, do të hapë një debat publik për legalizimin e marijuanës për qëllime mjekësore.
Rrjetet humanitare të organizatave dhe anëtarë të tjerë të shoqërisë civile u mblodhën pak ditë më parë në Beograd për të nisur një iniciativë mbi përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.
Nisma e tyre siç duket ka tërhequr edhe vëmendjen e ministrit serb të Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar, i cili nuk e ka përjashtuar konkretizimin e një projekti të tillë.
“Ministria nuk do të parandalojë futjen në mjekësi të atyre gjërave që japin rezultat gjatë trajtimit, përfshirë këtu edhe kanabisin. Ka të dhëna që tregojnë se kanabisi jep rezultate të mira në mjekësi. Ne nuk duam të marrim vendime brenda ditës. Ne duam të takojmë njerëz dhe të diskutojmë me ta të gjitha detajet”, tha Lonçar.
Kjo risi është paramenduar të realizohet duke iu përshtatur parimeve moderne të mjekësisë, por edhe duke u mbështetur në eksperiencat e viteve të fundit në Evropë dhe botë.