Libohovë, ngrohja me dru zgjidhja më e preferuar nga qytetarët
Si pothuajse në të gjithë Shqipërinë, edhe në Libohvoë ngrohja me dru vijon të mbetet një nga alternativat më të mira, për të përballuar të ftohtin e dimrit. Të ngrohesh me energji elektrike, jo vetëm që kushton shtrenjtë, por llogarit që Libohova ka probleme të vazhdueshme gjatë dimrit me ndërprerjen e energjisë elektrike. Ndërkohë që duke filluar nga viti 2015, pritet të ketë një rritje të çmimit të energjisë dhe kjo e bën akoma më të pamundur të ngrohesh nëpërmjet saj. Kështu që lënda drusore mbetet forma më e leverdishme.
Kryesisht gushti dhe shtatori janë muajt kur shikon më së shumti në rrugët e Libohovës makina të ngarkuara me dru, të cilat blihen nga qytetarët dhe sistemohen për t’u përdorur diku nga fillimi i muajt nëntor e në vijim gjatë muajve të dimrit. 1 m3 dru shitet me një çmim që varion nga 25 në 30 mijë lekë të vjetra. Ato priten kryesisht në vendin e quajtur “Leftokare”, sipër fshatit Dhuvjan në Dropull, por edhe në zona të tjera.
Në çmim përfshihet edhe transporti deri te shtëpia. Zakonisht çmimi pëson rritje nëse drutë blihen në muajt e dimrit, kur vështirësia është edhe më e madhe për prerjen e tyre. Në përgjithësi janë subjekte të liçensuara ato që presin drutë në pyll, por nuk mungojnë as ndërhyrjet pa një leje përkatëse.