Ismail Kadare: Kur doja të arratisesha në Pragën e vitit 1962
Librin tim të parë, “Lirika”, e botova më 1954, kur isha në klasën e tretë të gjimnazit, në moshën shtatëmbëdhjetëvje-çare. Ai tërhoqi vëmendjen e kritikës, por ishte libri i dytë, “Ëndërrimet”, botuar më 1957, kur isha student, që fitoi çmimin më të lartë të vendit, duke më bërë të njohur kudo.
Më 1961 pata përkitjen e parë të drejtpërdrejtë me diktaturën. Miku im D.Siliqi, që ishte në atë kohë drejtor i së vetmes shtëpi botuese të vendit, më thirri një ditë me ngut për të më thënë të kisha kujdes nga shkrimtari Z., i cili, siç i kishte pohuar vetë D. Siliqit, ishte ngarkuar nga Sigurimi të lexonte-dëgjonte dorëshkrim-incizimin e romanit tim “Qyteti pa reklama”. Hiq ndonjë fletë të rrezikshme, më tha D. Siliqi, ose shto aty-këtu ndonjë frazë, si për shembull, “Rroftë partia”.
Po ti e di se gjysma e romanit është me prostituta, i thashë. Ku ka vend për partinë aty? S’ka gjë, tha D. S. Ata janë aq hajvanë, saqë edhe në gojën e një prostitute do t’i kënaqte emri i saj. Madje, mund t’u dukej shumë prekëse.
Ne qeshëm një copë herë, duke përfytyruar çastet kur mund të përmendej emri i shenjtë, dhe kështu, duke qeshur e duke u tallur mendjelehtësisht, kujtuam se po ia hidhnim diktaturës.
Po atë vit, si dy donkishotë të vërtetë, unë e paraqita dhe ai e botoi, nën përgjegjësinë e vet, pa ia treguar askujt, librin me vjersha dhe poema “Shekulli im”, që ishte ndër librat më të lirë e më skandalozë të kohës.
Isha 25 vjeç. Midis këtij libri dhe romanit për gjeneralin e ushtrisë së vdekur, që bëhesha gati ta shkruaja, u tendos befas një ndërprerje, një truall i shkretë hënor, nga ata që mund t’i shikojmë vetëm në halucinacione, në mes të të cilit unë ngriva ca çaste (ca muaj, ndoshta stinë), ngaqë ndjeva se diçka e re, e rrezikshme po i afrohej jetës sime. Ishte fëshfërima e mantelit të shkrimtarit të shquar. Manteli i rëndë i shkrimtarit kombëtar nën diktaturë.
Po ecja drejt qendrës së tempullit. Atje ku ndodhej kthina më e fshehtë e urdhrit. Thelbi i tij. Pamjet atje ishin të frikshme, ikonat skuqnin si të gjalla dhe gjaku derdhej prej tyre çurg.
Ç’do të kërkohej prej meje? Ç’taksë do të paguaja për të larë mëkatin? Ndonëse ende turbull, përpara meje shihja arenën ku do të zbrisja për t’u përleshur me bishat, ndërsa publiku do të gumëzhinte përreth, shpeshherë me gishtin e madh poshtë, dhe midis tyre tirani (tirani shkrimtar i mesëm!), që do të vendoste fatin tim.
Ishte vera e vitit 1962. Po bëhesha gati të udhëtoja për në Finlandë. Një javë para nisjes takova shokun tim, poetin Dhori Qiriazi.
Dëgjo, i thashë, unë do të arratisem. Nuk i duroj dot mbledhjet. Nuk e duroj dot stërvitjen ushtarake. E sidomos s’duroj dot të më qethin flokët.
Ai më dëgjoi i qetë. Shumë mirë do të bësh, m’u përgjigj. Pas teje, edhe unë do të gjej nja dy bomba dhe do të përpiqem të kapërcej kufirin në malet e Kolonjës. Pastaj takohemi atje.
Asnjë fjalë për politikën, ndonëse kishim vite që nuk i fshihnim asgjë njëri-tjetrit. Një herë desha t’i them: Po ti për ç’arsye do të vish atje? Ti e duron stërvitjen ushtarake dhe për flokët nuk të bëhet vonë. Por as unë, as ai nuk shqiptuam formulën e shenjtë. Formulën e fshehtë që shpjegonte arsyen e vërtetë të ikjes sonë. Pa atë deshifrim, kjo ikje ngjante qesharake, donkishoteske, një bredhje aventurierësh dhe asgjë tjetër.
Ndonëse nja dhjetë herë i përmenda flokët, edhe unë e dija, edhe ai e dinte, se qethja e flokëve s’mund të ishte një shkak për të lënë atdheun. Shkaku i vërtetë, ai që s’donte të shfaqej, siç ndodh shpesh me shkaqet e rënda, nxinte thellë, shumë thellë në ndërgjegjen time. E ai shkak lidhej me pasionin më të madh të jetës sime, letërsinë. Unë doja ta braktisja letërsinë përgjithmonë. Të ikja sa më larg prej saj, në stepat e sllavëve, atje ku ajo s’do të më gjente kurrë. Të ikja prej fatalitetit të shkrimtarit të shquar nën diktaturë, atij që shpesh cilësohej “shkrimtar kombëtar”. Të kthehesha prapë në një djalë që pëlqente modën, pulovrat dhe pardesytë e bukura dhe që e fshihte prej kujtdo që kishte qenë dikur shkrimtar. (A nuk e kisha pasur këtë tundim, a nuk e kisha bërë këtë gjatë krizës moskovite?)
Kështu, gjatë udhës së kthimit, e braktisa delegacionin atë ditë gushti në Pragë dhe zura një dhomë në një hotel pranë Sheshit Vanceslav. Në valixhe kisha dy pulovra dhe një pardesy të bukur finlandeze, megjithatë, dhoma nisi të më dukej përherë e më e ngushtë. Shpresoj ta shoh ndonjë ditë prapë atë dhomë hoteli që atëherë më ngjau si një varr, çka m’u duk edhe si shkak që ndërrova mendje, në po atë mënyrë që qethja e flokëve më qe dukur si shkak për arratisjen. Por, si në rastin e ikjes, si në atë të pendimit, shkaku ishte gjetkë. Nuk e durova dot, me sa duket, ndarjen me letërsinë. Nga ajo shuarje e qetë në stepa, pranova arenën plot ulërima dhe mantelin që do të m’i kërruste supet.
Dhe ashtu, si mëkatari që nuk i bën dot ballë tundimit, me avionin e linjës Pragë-Tiranë, u ktheva që të pranoja kurorën e mallkuar.
Uh, u ktheve? Thashë se u arratise. Shyqyr, o Zot, shyqyr, o Zot. Tërë natën s’më ka zënë gjumi. Me këto fjalë më priti ime më. Mjaft me marrëzira, thashë dhe u mbylla në dhomën time.
Erdhën tezet të më takonin (për çudi, ato që përherë e për gjithçka kishin dyshime ndaj meje, këtë herë as që iu kishte shkuar mendja për keq). Erdhi im ungj, që, si zakonisht, më pyeti si i kisha punët me partinë.
Kujtoja se s’do të ktheheshe, më tha D. Siliqi. Të them të drejtën, gjatë gjithë kohës që ishe jashtë, madje përpara se të niseshe, vuaja nga mëdyshja se si ishte më mirë: të ktheheshe apo jo. Ndaj dhe kur u nise s’të thashë asgjë.
Ia tregova atëherë aventurën e Pragës dhe ai më përqafoi. Ndoshta është më mirë që erdhe, thoshte herë pas here, si të fliste me vete.
Ndërsa Dhori Qiriazi, miku im i shtrenjtë, që e shihja rrallë, ngaqë banonte në Kolonjën e largët, nuk më tha asgjë kur u takuam. Sa herë që shiheshim, vështroja fytyrën e tij fisnike dhe mendoja se bombat, që ndoshta i kishte gjetur tani, po plakeshin si çdo gjë tjetër në bodrumin e shtëpisë së tij, dhe ai vetë, një nga poetët më të mirë të vendit, po mbytej nga diktatura qetësisht.
(Marrë nga “Pesha e kryqit”)