Këshilli Kombëtar i PD, në listën fituese edhe kryekomunari i Lazaratit, Dasho Aliko
Votimi i delegatëve të Kuvendit për 150 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar nuk solli asnjë surprizë për shumëkënd që mendonte se përbërja e re do të sillte ndonjë risi në Partinë Demokratike, veçanërisht pas ndjesës publike të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha për qeverisjen e kaluar.
Nëse do t’i hedhim një sy listës përfundimtare të shpallur mbrëmë nga selia e PD-së (por pa publikuar se sa vota kanë marrë secili dhe sa delegatë kanë votuar) mund të themi se kjo listë është një kompromis, jo vetëm emrash mes atyre që kanë punuar me Berishën si kryeministër, njerëzve apo të rinjve që janë bashkëpunëtorë të afërt të Lulzim Bashës, por edhe rrymash në parti.
Mes 150 anëtarëve është edhe kryekomunari i Lazaratit, Dashamir Aliko, humoristi Ermal Mamaqi e Julian Deda, Greta Koçi e Laura Vorpsi dhe një sërë personash të tjerë që kanë mbajtur funksione publike në kohën e qeverisjes së PD.