Lazarati u ankohet demokratëve: Po mbetet fshati pa burra, largoni policinë
Një ditë pas përplasjes së banorëve me policinë, deputetët demokratë të Komisionit të Sigurisë Alban Zeneli dhe Ardian Turku vizituan dje Lazarartin.
Fillimisht ata zhvilluan një takim me dyer të mbylluara me kreun e Komunës dhe më pas në sheshin e fshatit dëgjuan ankesat e banorëve.
Dasho Aliko u bëri thirrje banorëve që të ruajnë qetësinë e mos të bëhën pre e provokimeve të ndryshme. Ndërsa deputetët e PD theksuan se kërkesat e banorëve ia parashtuan edhe drejtuesve të policisë, që Lazarati të trajtohet si çdo komune tjetër.
“Kemi dy muaj që nuk dëgjohemi nga shteti.Mjaft më! Nuk mund të jetojmë mëngjes, drekë, darkë nën terrorin e policise” tha një banor.
“Jemi në hall të madh, hajdutët po bëjnë kërdinë, ndërsa denoncimet tona i konsiderojnë të pavlefshme. Policia nuk ka të drejtë të implikojë një fshat të tërë. Të gjithë djemtë e burrat e këtij fshati janë zhdukur, kanë frikë nga arrestimet.Mjaft halle dhe probleme kam, tani m’u shtua edhe policia” u tha një e moshuar dy deputetëve.
Deputeti Zeneli ka mbështetur kërkesat e lazaratasve të cilët kërkonin në grup largimin e policisë ose minimizimin e prezencës së saj, në raport edhe me komunat e tjera të Gjirokastrës.
“ Gjithë shqetësimi që thatë ju lidhet edhe me pozicionimin e policë këtu. Ne bashkë me Ardianin ia paraqitëm edhe zëvendës.drejtorit të policisë. Ai na premtoi se këtë shqetësim do t’ia përcillte instancave më lart që policia në Lazarat të jetë si në çdo komunë tjetër”.
Mes shumë lazaratasve, ka folur edhe i biri i Gate Mahmutaj, i cili u shpreh se në familjen e tyre ka mbetur vetëm më e moshuara e shtëpisë pa u arrestuar nga policia./Ora News