Myfid bej Libohova, diplomati “turk” që krijoi Lek-un
Myfid bej Libohova, diplomati i njohur i Perandorisë Osmane dhe krijuesi i asaj shqiptare, ishte tekniku që realizoi Bankën dhe monedhën kombëtare. Me emrin e tij janë të lidhura shumë aktivitete politike të para Luftës së Dytë Botërore. Për Eqerem bej Vlorën, ai ishte një burrë me cilësi dhe me një kulturë të madhe, ndërsa për Sejfi Vllamasin vetëm një mbështetës më shumë i italianëve
Nga fotot e kohës së pas Luftës së Parë Botërore, na ndjek me dinjitet një burrë i ngjallur, që nuk e ndan shaminë e vogël nga xhepi i sipërm i kostumit. Pozon i qetë dhe zakonisht në një mjedis të paqëm familjar. Duket qartë se është i stërmësuar me një jetë, që për shqiptarët është vite larg. Falë edukimit shumëvjeçar të huaj, bashkë me të, shfaqet e shoqja me një mbiemër gjermanik Schweizer, që pozon po ashtu këndshëm. Nga kronikat e kohës mësohet se është daneze dhe ishte gruaja e dytë e burrit simpatik shqiptar. Ky i fundit, kur ishte njohur me zonjën nordike, kishte arritur një karrierë brilante diplomatike në kohën e fundit të Perandorisë Osmane, të cilën do t’ia kishte zili çdo diplomat karriere në Botë. Ndërsa, pak më vonë, do të ketë, një pozicion primar, për sa i përket hierarkisë së posteve në shtetin e parë të historisë shqiptare. Më saktë, është një nga shqiptarët e pakët fisnikë, që i kanë mbetur Shqipërisë. Ca më shumë akoma, nuk i bëjnë përshtypje shumë gjëra që thonë për të, sepse sallonet dhe jetën mondane i ka njohur që në fëmijëri, madje dhe para se të lindte. Të gjithë paraardhësit e tij, në një kolonë që kap disa qindra vjet, kanë një jetë po aq të gjallë dhe në rrethe superiore…
Edhe sot kur i kundron fotot e tyre familjare, prehesh i qetë dhe admiron serenitetin e familjes së njohur shqiptare të Myfid Bej Libohova. Këtë e ndjen po të shkosh në Libohovë, sepse të gjithë ata që janë në qytetin e vogël, të cilën paraardhësi i tyre i bëri nënprefekturë, të tregojnë me respekt varrin e tij; rrapet që mbolli me duart e tij gati 100 vjet më parë dhe patjetër sarajet e Familjes Libohova.
Në këto saraje, erdhi motra e Ali Pashait, Shanishaja, për të cilën i vëllai i tmerrshëm ndërtoi kalanë e famshme të Libohovës, që sot ka ende muret gjigande. Ajo bashkë me Myfidin, që vdiq gati një shekull më vonë, flenë së bashku gjumin e madh në tyrben e familjes, që gjendet në Libohovë, për ti kujtuar qytetit të vogël në këmbët e Buretos, se fillesa e lavdisë së tyre është tek ata…
Familja e tij
Arsllan Pashallinjtë nga rrjedh Mufidi kishin qenë për breza me rradhë Vezirët e Janinës dhe po ashtu dhe sundimtarët e Sanxhakut të Gjirokastrës dhe të Delvinës… e shumë e shumë herë dhe të krahinave të tjera. Mbase ishte kjo trashëgimi, që i bindi Libohovat e brezave të fundit të Perandorisë Osmane, që nuk ishin si të tjerët. Në shtëpinë e Libohovës fliteshin shumë gjuhë dhe kjo falë edukimit që kishin të gjithë anëtarët e saj. Kishin kuptuar të gjithë diçka të vetme, që do të ishte vetëm kultura që mund të ndryshonte statusin e tyre kombëtar dhe të mjedisit ku jetonin. Nga ana tjetër, dituria u jepte një status tjetër krahasuar edhe me njerëzit e tjerë të Perandorisë, ku familja e tyre ishte pa asnjë dyshim një nga më fisniket.
Malik Pasha, i gjyshi i Mufidit, nuk i pranoi detyrat zyrtare të Perandorisë osmane në mënyrë publike. Sipas të afërmëve, pasuria e tij ishte e tillë, saqë Maliku konsiderohej pa frikë, si një nga njerëzit më të pasur të kohës, që jetonin në Egjipt, Turqi por edhe në Greqi. E gjitha kjo pasuri, që ishte mbledhur në shekuj të tërë, konfirmonte realisht, atë që familja Libohova e pretendonte: se datonte si një nga familjet më të vjetra të aristokracisë shqiptare. Pinjollët e fundit të Libohovave, e vizatojnë pemën e tyre gjenealogjike deri në 700 vjet më parë. Ndoshta kjo ishte arsyeja, që Shanishaja, motra e Ali Pashait, erdhi nuse në derën e tyre. Duke iu afruar më shumë familjes, Myfid Bej Libohova është i biri i Neki Pashës dhe lindi më 1876. Ndërsa, ky i fundit është i njohur si guvernator i Gjirokastrës. Dhe për shkak të statusit të tij, ishte edhe një nga pak deputetët e Shqipërisë në Parlamentin e parë të Perandorisë Osmane. Aq i madh ishte pozicioni i tij, saqë më 1879, ai arriti që të bëhej Këshilltar në Këshillin Perandorak të Shtetit. Me këtë prejardhje është fare e arsyeshme, që edhe i biri, Myfidi, do ta kishte rrugën e hapur për karrierën e tij. Ishte martuar herët dhe më 1898 bashkëshortja e tij e parë ishte Sheref Hanëm Giritli Zade. Kjo ishte vajza e Ibrahim Pashait dhe Mustafa Pashait. Ky i fundit kishte qenë 5 herë Sadrazem dhe kryeministër i perandorisë. Me Sheref Hanëmin arriti që të bënte djalin e parë Malik beun, që do të përfaqësonte vite më vonë Shqipërinë në Francë. Ndërsa, djali i dytë i tij, ishte Elmaz Beu, që lindi nga gruaja e dytë, danezja Olga Scheitzer.
Si të gjithë shqiptarët e kulturuar, Myfidi, do të formohej në Liceun e Janinës “Zosimea”, ndërsa formimin e plotë do e përfundonte në Liceun Perandorak të Stambollit në “Galata Saraj” me gjuhë bazë frëngjishten. Ishte e tillë kultura e familjes, saqë ajo mund të vlerësohej dhe me njohjen e gjuhëve që kishte Myfidi dhe vëllezërit e tij. Ai në punët e tij do të komunikonte lirisht në frëngjisht, turqisht, persisht, greqisht dhe me italishten. Ai do të diplomohej me sukses në degën e drejtësisë në Stamboll dhe pak më vonë për Shkencat Politike në Lozanë. Këtu pak më vonë do të merrte dhe doktoraturën. Ishte i gjithë korpusi i diturive të tij, që e bëri atë, falë kuptohet dhe ndikimit të pozicionit të paraardhësve të tij të ishte që në vitin 1898 në Ambasadën perandorake në Bruksel të Belgjikës. Në këtë vend arriti në pak vite, që të bëhej dhe “Charge d’Affaires”. Ishte njeriu që ndihmoi nacionalistët shqiptarë në atë qytet dhe patjetër Ismail Qemalin, kushuririn e tij të afërt, që botonte në atë kohë “Le salut de l’Albanie”. Kjo shtypej në tre gjuhë: shqip, turqisht dhe greqisht. Ai do të binte në sy për këtë veprimtari, që konsiderohej si subversive, dhe në vitin 1904 do të transferohej në Bernë. Të kësaj kohe janë dhe udhëtimet e tij, në një sërë kryeqytetesh në Evropë, si në Berlin, Vjenë, Paris, Londër, Romë dhe Shën Petërburg për çështjen shqiptare. Dy vjet më vonë, ai do t’i kërkojë ndërhyrje Abas Hilmi Pashës “Hidivit” në Egjipt për të ndikuar pozitivisht për çështjen shqiptare. Në atë kohë, ajo kishte marrë një hop të madh dhe po i afrohej finishit të zgjedhjes së saj. Ndërkohë, dy vëllezërit e tij, po ashtu kishin arritur pika të larta në karrierën perandorake. Ekrem Beu ishte bërë oficer madhor në Akademinë e Kavalerisë Perandorake në Shtatmadhori, ndërsa i dyti ishte Ajet Beu, Këshilltar i Ambasadës Perandorake në Athinë. Më 1907 i vdes i jati dhe i bie barra, që të merret me administrimin e pasurisë, e cila është e stërmadhe. Një vit më vonë, ai do të jetë kryekonsull në Thesali, me kërkesë të tij, në mënyrë që të ndiqte pasurinë e familjes.
Kuptohet se nuk qëndron shumë, sepse pavarësisht postit, fillojnë e marrin erë shumë problemet shqiptare. Pavarësia është më afër se kurrë dhe për të nuk pëshpëritet por flitet me forcë. Bashkë me dy vëllezërit, Ekremin dhe Ajetin, braktis Perandorinë për të filluar një jetë tjetër. Kjo jetë duhej të vihej në shërbim të një shteti, që ekzistonte vetëm në kokat e diplomatëve dhe në dëshirën e shqiptarëve.
Ndërgjegja kombëtare
Në fillimet e shekullit të shkuar, një grup i pakët burrash të kulturuar dhe fisnikë shqiptarë, kishin kuptuar se mëvetësia e Shqipërisë nuk do të thoshte vetëm liri për kombin e tyre, por edhe shumë shpirt për veprimtarinë e tyre personale. Myfid Bej Libohova ishte një nga këta burra e kuptoi më së miri këtë, teksa mundi bashkë me Ismail Qemalin, që të bënin bashkë zërin e të gjithë deputetëve shqiptarë të katër vilajeteve në Parlamentin Osman. Kuptohet se në këto raste, ishte gati ilaçi anadollak. Me dhelpërinë tradicionale, iu afruan disa poste të rëndësishme Mufidit. I afruan postin e lartë në një ministri të Perandorisë dhe po ashtu kreun e një ambasade jashtë vendit. Një njeri si Mufid beu, krenar dhe me një emër familjar të madh, gjeti mënyrën më të thjeshtë për t’i refuzuar: një “Jo” të prerë. Kur mbaroi kulaçi erdhi koha e kërbaçit. Xhonturqit, që nuk e detyronin më “fodullëkun“ e shqiptarit, i përgatitën dy atentate, me të cilat fatmirësisht nuk mundën që ti merrnin jetën. Kur nuk bënë këtë, vendosën, që të arrinin diçka tjetër. Ata i konfiskuan të gjithë pasuritë që kishte në Turqi. Kështu erdhi koha, kur ai i kishte shkëputur dhe “de jure” marrëdhëniet e tij me perandorinë.
Shpallja e Pavarësisë
Në këtë kohë vendosi, bashkë me Ismail Qemalin, që ishte pikërisht koha finale, për shpalljen e mëvetësisë së Shqipërisë. Në Vlorë do të ishte si i dërguar i Gjirokastrës dhe Tepelenës në momentin e Shpalljes së Pavarësisë dhe kishte mbërritur madje dhe para Ismail Beut. Kuptohet se një njeri me parametra të tillë, do të ishte një dhuratë për portofolet e qeverisë së parë shqiptare. Dhe, vërtetë, Mufidi ishte ministri i parë i Punëve të Brendshme dhe pak më vonë dhe Ministër i Jashtëm deri në vitin 1913. Ishin të tilla përmasat e tij, saqë ai do të ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në Konferencën e Londrës dhe përfaqësues në Komisionin e Kontrollit Ndërkombëtar. Ai kishte atributet e zëvendëskryeministrit, sepse në kohën e udhëtimit të Ismail Qemalit, ai ka kryesuar Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Duke parë rezultatet e qeverisë së brishtë të Vlorës dhe fuqinë e saj dhe i mësuar me sistemet perëndimore, e mbështeti si askushi ardhjen e Princ Vidit më 1914, pas dorëheqjes së qeverisë shqiptare. Madje, ai vetë e priti zyrtarisht në Durrës, sepse pas rënies së Ismail Qemalit, ishte përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar.
Jeta e tij e vrullshme do të vazhdonte përsëri në politikë dhe mbreti i caktoi që të ishte Ministër i Drejtësisë dhe Kultit e pak më vonë dhe Ministër i Jashtëm. Në një situatë, që ka qenë shumë kaotike, që e përshkruan më së miri dhe Eqerem Bej Vlora në kujtimet e tij, ai nuk pranoi që të qëndronte dhe kërkoi dorëheqjen. Ndërkohë pranoi që të ishte Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë pranë Oborrit mbretëror të Italisë. Ekrem Beu, i vëllai i tij, ish oficeri i Kavalerisë perandorake, u bë kryeadjutant i mbretit. Viti fatal 1914 bëri që ai të largohej në Zvicër, bashkë me përfaqësinë shqiptare dhe pastaj të shkonte në Korfuz. Ai u largua pa asnjë mëdyshje nga Italia, pavarësisht se italianët i afruan mbështetje dhe mbajtjen e përfaqësisë shqiptare në Romë me shpenzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Duke llogaritur, se ai ishte një i pasur, preferoi, që më mirë të merrej me punët e tij, sesa të pranonte propozimin. Ndërsa pasi u lirua Gjirokastra, ai erdhi në Libohovë, nga ku rifilloi të merret me punë politike. Qëllimi ishte për të ringjallur përsëri një qeveri shqiptare, e cila do të përfaqësonte Shqipërinë. Dhe, këtu shfaqet figura e plotë e tij. Falë iniciativës dhe lidhjeve, që kishte në Itali, mundi të krijojë një qeveri në Durrës, e cila do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes. Në këtë qytet mori iniciativën dhe bashkë me Mehmet bej Konicën mblodhi një Kongres Kombëtar, i cili vendosi formimin e një qeverie shqiptare.
Vërtetë drejtuesi i qeverisë ishte Turhan Pasha, një funksionar tjetër i lartë i ish perandorisë, por Mufidi drejtonte punët sepse Turhani ishte transferuar në Paris për të ndjekur punimet e konferencës. Në qeverinë provizore spikasnin emrat e Turhan Pashë Përmetit; Mufid Bej Libohovës, Ministër i Brendshëm; dhe Mehmet Konicës, si ministër i Punëve të Jashtme. Në këtë qeveri, që qëndroi nga dhjetori i vitit 1918 deri më 1920, ishin edhe Luigj Gurakuqi, Petro Poga, Sami bej Vrioni, Mehdi Bej Frashëri, Abdi Bej Toptani, Imzot Bumçi, Fejzi bej Alizoti, Preng Bib Doda, Mustafa Merlika Kruja…Vetë Libohova do të ndiqte punimet e dërgatës shqiptare në Konferencës e Paqes, që fatmirësisht u pranua në kundërshtim me interesat greke dhe jugosllave. U caktuan kufijtë e veriut dhe verilindjes dhe më 22 mars të vitit 1913 u la përfundimisht jashtë Shqipërisë Kosova dhe Çamëria. Mjaftoi ndërhyrja e Uillsonit, që Shqipëria të shpëtonte ekzistencën e saj.
Kongresi i Lushnjes dhe përfolja e tij
Myfid Bej Libohova nuk i ka shpëtuar përfoljeve të politikës së viteve ’20 në Shqipëri. Në kujtimet e tij “Ballafaqimet politike në Shqipëri”, Sejfi Vllamasi cilëson në një pjesë se Libohova ka qenë kundër Kongresit të Lushnjes. Ja çfarë shkruan ai:” Konsulli Eden i Inteligence Service, në dhjetor të vitit 1919, shkon nga Berati për në Gjirokastër bashkë me major Mustafa Maksutin dhe Azis Tahirin, ish kadi; ku takohet me Javer Hurshitin dhe Beso Gegën, kryetar i Bashkisë dhe u thotë konfidencialisht se qeveria britanike dëshiron formimin e një qeverie kombëtare në vend të asaj, që kemi sot në Durrës dhe që është vegël e italianëve. Pra, kur, t’ju ftojnë për në kongres të dërgonin dy delegatë: Beso Gegën dhe Veli Hashorvën. Myfit Libohova, rastësisht atë ditë, ndodhej në Libohovë dhe merr vesh dhe vjen në Gjirokastër, ku i thotë Javerit: ”Ti si vepron kundra një qeverie, ku unë, miku yt, jam anëtar i saj?” Javeri i përgjigjet: ”Unë më parë dua Shqipërinë”. Myfiti kthehet e i thotë Besos: ”Ti, Beso mos shko në Kongres, se komanda e përgjithshme italiane është e angazhuar të mbrojë qeverinë e Durrësit, qoftë dhe me armë, kundër çdo agresioni që do të bëhet kundër saj. Bile, milicia e Gjirokastrës nesër po niset për në Lushnje”. Milicia u dërgua kundër Kongresit me inisiativën e Myfitit. Në vend të Besos u zgjodh Kiço Koçi”.
Por, varianti i Mufid bej Libohovës, që mbështet dhe nga kujtimet e Jakomonit, të dërguarit italian në Shqipëri, është krejt ndryshe: Autoritetet italiane jo vetëm nuk e kufizuan Kongresin, por e mbështetën. Madje, shumë deputetë, nga vende të ndryshme të Shqipërisë erdhën falë transportit italian. Praktikisht, ishte koha që qeveria e Durrësit nuk duhej më dhe vendin e saj e zuri menjëherë një qeveri tjetër. I saj është edhe vendimi për të bërë Tiranën kryeqytet. Sulejman Delvina, në qeverinë, që doli nga Lushnja, bëri Ahmet Zogun ministër të brëndshëm. Nga kjo kohë, ylli i Ahmetit do të ngrihej frikshëm në mugëtirën e politikës shqiptare. Ndërsa, do të kishte dhe një Këshill Regjence me anëtarë Aqif Pashë Biçakun, Abdi Bej Toptanin, Imzot Bumçin dhe Doktor Turtullin, që do të ushtronte ndikikimin e tyre të pakët në zhvillimet e kohës.
Ishte hera e dytë, që Myfid Beu tërhiqej, dhe këtë herë filloi që të merrej më seriozisht me punët e tij, të cilat i kishte lënë pas dore. Ato nuk ishin më si më parë, pas udhëtimeve të parreshtuar të tij në të gjithë Shqipërinë. Vazhdonte si në të rininë e tij, që të studionte në histori dhe jurisprudencë, dhe sistemonte bibliotekën shumë të madhe personale, ku ishin shkresa për historinë e familjes së tij, por dhe të Shqipërisë. Nga kjo kohë, mbase është dhe “Historia e Ali Pashait”, që pinjollët e tij kanë premtuar ta sjellin shpejt në shqip. Këtu pati dhe një atentat që mundi t’i shpëtojë, duke lënë pas, kokën e një njeriut të besuar të tij. Pas Luftës së Dytë Botërore nga shtëpia e tij do të konfiskoheshin të gjitha gjërat madje dhe gjërat shumë të vyera, që do të ishin në stendat e Muzeut Kombëtar. Banorët e Libohovës flasin se ai kishte në shtëpi dhe shpatën e Sulltan Bajazitit…
Në vitin 1923, ai do të rikthehej përsëri deputet dhe në dy qeveri do të ishte ministër i Drejtësisë dhe i Financave. Përsëri Vllamasi, shprehet ashpër dhe negativisht për figurën e tij. ”Në Gjirokastër u formuan dy grupe: i pari përbëhej prej liberal demokratëve, shumicën e të cilëve e formonin ish deputetët e parlamentit të parë dhe grupi i dytë ishte i Myfit Libohovës. Ky i fundit ka pasur simpatizantë si prej myslimanëve, ashtu dhe prej të krishterëve dhe prej minoritarëve… Sulejman Delvina u detyrua të hyjë në listën e Myfitit, pasi një pjesë e popullit myslyman të Delvinës të Kurveleshit e të Tepelënës i deklaruan se për ty votojmë , por nuk mund të votojmë për shokët e tu të listës. Kurveleshi i sipërmë, një pjesë e Tepelenës dhe Delvinës, Dropulli, Pogoni, qyteti i Gjirokastrës votuan për Myfitin. Grekofonët dhe grekomanët marrin urdhër, me letra nga grupi i Vorio-epirit i Janinës për të votuar për Myfitin, por urdhrat patën efekt vetëm në Dropull e Pogon. Myfiti në fillim nuk fitoi dhe vetëm pas një kundërshtimi votash që pati midis tij dhe Abdyl Kuçit ai mezi arriti që të fitojë.
Kabineti i Shefqet Bej Verlacit, për shkak të Myfitit me shumë vështirësi e dredhira, ka mundur të marrë votëbesimin…
Njeriu që krijoi Lek-un
Në qeverinë e Ahmet Zogut, që do të vijonte, ai do të ishte njëkohësisht ministër i Frinancave, Drejtësisë dhe Punëve të Jashtme. Nga veprimet më të matura të Zogut në atë kohë ishte krijimi Bankës Kombëtare dhe nga veprimet e para ishte huaja e madhe, që ka marrë nga Italia për zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërkohë, një nga meritat më të mëdha të Libohovës ishte se ai ishte teknicieni, që realizoi të gjithë operacionin si edhe krijimi i “Lek-ut”, monedhës kombëtare. Falë huasë italiane, Shqipëria bëri korpusin e ministrive dhe shumë investime në fusha, që i interesonin. Si për ironi, këto ndërtesa janë ende pasuri e madhe e kombit shqiptar dhe tepër funksionale. Qeveria vazhdoi deri në vitin 1927, sepse ishte Myfid Beu, që nuk mund të duronte, që të drejtohej nga pothuaj një i pashkollë si Ahmet Zogu. Në mënyrë të moderuar, ai i bëri të qartë se nuk pranonte uljen e potencës së Parlamentit dhe doli hapur kundër faljes së Shën Naumit -serbëve.
…
Ishte rënduar dhe tashmë kishte ardhur koha e fundit e tij. Këtë kohë e shfrytëzoi, që të shkonte tek i biri, Maliku në Paris. Atë e kishte me gruan e parë turke dhe i biri ishte I Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Paris. Por, përfundimisht nuk kishte më kohë. Teksa kthehej në Sarandë do të vdiste në moshën 51 vjeçare në shkurt të vitit 1927. U varros në Libohovë pranë të gjyshes, motrës së Ali Pashë Tepelenës, Shanishasë dhe në një vend, që edhe sot duket si i amëshuar. Morrën pjesë në varrimin e tij shumë e shumë njerëz. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, Libohova, me insistimin e tij, ishte bërë një qytet. Përveç kësaj, ai kishte bërë rrugën që e lidhte me qytetin, ndërsa do t’i falte Bashkisë së Gjirokastrës sheshin kryesor të qytetit, që ishte pronë e familjes, si edhe një dhuratë financiare prej 5000 napolonash për krijimin e Liceut të qytetit. Ai i rregulloi ujin qytetit të Libohovës dhe me duart e tij mbolli pavdekësinë. Teksa dy rrape të mëdha që i bëjnë hije në sheshin kryesor të qytetit, janë mbjellë nga duart e tij. Kaq ka mjaftuar, që t’u kujtojë bashkëqytetarëve të tij, se ai do të jetë përgjithmonë pjesë e historisë së tyre dhe e dinjitetit të fëmijëve të tyre.
(Shkrimi është mbështetur në Botimin e fundit “Mufid Bej Libohova” të përgatitur nga nipi i tij Enver Libohova)