Turqia do të ndërtojë në Shqipëri xhaminë më të madhe të Ballkanit
Turqia ka vendosur që të financojë ndërtimin e xhamisë së Tiranës, e cila do të jetë edhe më e madhja në Ballkan, njoftojnë mediat turke.
Sipas këtyre mediave, vendimi është marrë nga Drejtoria turke për Çështjet Fetare duke pasur parasysh numrin e vogël të xhamive që ndodhen aktualisht në kryeqytetin shqiptar, transmeton Mapo. Xhamia e re e Tiranës do të ketë 4 minare dhe do të jetë në gjendje të mbajë brenda saj 4,500 besimtarë njëkohësisht.
“Vetëm 60 njerëz mund të falen në të njejtën kohë në xhaminë e Ethem Beut edhe pse 70% e popullësisë së Tiranës është myslimane” ka thënë Ismail Palakoglu, kreu i fondacionit “Diyanet”. Palakoglu është shprehur se po planifikojnë të ndërtojnë xhaminë në hapësirë prej një hektarësh, raporton Mapo.
“Njerëzit falen në sheshin e Tiranës gjatë festave pasi xhamia e Ethem Beut nuk është e madhe sa duhet. Kjo është e vështirë gjatë kohëve me shi. Por në xhaminë e re, e cila do të ketë katër minare, 4.500 besimtarë do të jenë në gjendje të falen”, ka thënë Palakoglu.
Palakoglu ka thënë gjithashtu se procedurat janë në proces e sipër, megjithatë ata planifikojnë se xhamia do të përfundojë brenda 2-3 vitesh.