Ndaluni pak në Memaliaj…

60_big

Çfarë do të gjeni aty? Si në të gjithë qytetet e Shqipërisë, edhe këtu, gjen gjithçka. Mbi të gjitha e të gjithave, gjen mikpritjen. Duke qenë se magjistrali i Jugut kalon në periferi të Memaliajt, këtu shumë rrallë kthehen njerëz, pasi nguten për në destinacionet e tyre. Por provojeni të ktheheni dhe do ta gjeni veten nën vëmendjen e të gjithë qytetarëve që kanë dalë në atë moment në rrugët dhe lokalet e qytetit. Do t’u duket vetja sikur të keni zbritur nga një planet tjetër.

Në qendër të qytetit të vogël, me ndërtesa tipike të stilit socialist, do të gjeni lokale luksozë me gjithçka që t’u teket të kërkoni. Dhe më e bukura, ato do t’i gjeni me një çmim fare të lirë si në metropol.

Buzëqeshja këtu nuk është e shtirë si në metropol që ta bëjnë për të paguar, por është e sinqertë, e çiltër. Në qoftë se hyn dy herë në të njëjtin lokal, të tretën herë shpenzimet i ke nga i zoti i lokalit. Është një normë sa komerciale aq e dhe sociale.

Pa le po fjete një natë, e sigurt që bëhesh Qytetar Nderi i Qytetit! Më ndjeni, por nuk mund të them më shumë se kaq!…

Ndërsa për kuzhinën, dihet, të gjithë ata që erdhën në minierë në kohën e lulëzimit të saj ishin fshatarë të zonave të Jugut, të Gjiroksatrës, Mallakastrës, Përmetit, Zagorisë, Lunxhërisë, Kurveleshit etj. Kështu që bashkë me traditat e tjera, ata sollën edhe traditën e gatimit. Prandaj këtu kuzhina është me specialitete nga më të shumëllojshmet, krahasuar me qytetet e tjerë fqinjë autoktonë.

Në gatimet tradicionale, si vend në zemër të Labërisë, mishi i hellit ose i pjekur në furrë, zë vendin e parë në tavolinë. Sipas traditës baritore, atë ta servirin në copa të mëdha dhe me shenja: mikut kryesor i vihet bishti i deles, qengjit apo kecit; të dytit, koka; të tretit, shpatulla, e kështu me radhë, si shenjë hierarkie dhe rëndësie të mikut. Veç mishit, këtu lëshohet kukureci me të brendshmet e bagëtisë, i therur në hell ose i pjekur në prush, dhe arapashi që bëhet me miell misëri, gjalpë dhe zorrë qengji ose keci.

Memaliaj

Mes të djeshmes, të sotmes dhe të ardhshmes…

Në vitet e para të pasçlirimit në të gjitha zonat e Jugut, që nga fshatrat e Përmetit gjer në Sarandë, nga Mallakastra e Kurveleshi gjer në Zagori, nga Dropulli e Dëshnica gjer në Lunxhëri, hyri në bisedat dhe jetën e njerëzve një fjalë e re, një emërtim i ri: miniera. Thuhej fjala “minierë”, sepse qyteti që ndodhet sot këtu nuk ekzistonte fare. Memaliaj, si vend, atëherë i takonte kryesisht vetëm historisë së Luftës Nacionalçlirimtare. Në një copë shesh të atij vendi, atje te hijet e rrepave të Dervenit, në majin e vitit 1943 përfaqësues të Partisë Komuniste Shqiptare, në një kuvend të madh “i nxorën krejtësisht bojën”, Ali Këlcyrës. Dhe vetëm një muaj pas atij kuvendi historik, në territorin e këtij fshati, u shënua një ngjarje e re e luftës sonë: beteja e Qafës së Miricës.

Vetë populli fukara nuk e njihte atëhere Memaliajn për gjë tjetër veçse për teqenë. Vendburimi i qymyrit në Memaliaj është zbuluar gjatë Luftës së Parë Botërore nga gjeologët Austro-Hungarezë, Italiane e Franceze. Në vitet 1914-1916 shohim relacionet e para dhe interesimin e flotës italiane për përdorimin e qymyrit për nevojat e veta, si dhe punimet e para në fushën e Vjosës në krahun juglindor me një pus 63m të thellë, prej nga u morën 7000-8000 ton qymyr. Në gjurmët e dokumenteve arkivale gjatë viteve 1922-1924 shohim përpjekjet e një shoqërie anonime italiane dhe të një komisionieri durrsak për të bërë kërkime me qëllim zbulimin në zonën e Memaliajt.

Në vitin 1924 një gjeolog austriak dha një përshkrim të shkurtër për karakterin industrial të shtresave të vendburimit. Aty ku më parë gjeologët ushtarakë kishin ngulur piketat e para, shoqëria italiane ACAI filloi punimet në vendin ku më vonë u hap sektori i parë i minierës, në krahun e djathtë të lumit Vjosë duke hapur një traverbang dhe dy galeri, ndërsa sondat e shpimit vazhdonin kërkimet deri në thellësinë 288 m. Punëtorët shqiptarë banonin në kasolle, punonin deri në 16 orë në ditë, ushqeheshin sa për të mbajtur gjallë dhe shpërbleheshin 25 herë më pak se italianët. Pas luftës, në pranverën e vitit 1946 filluan punimet e para për hapjen e minierës. Qymyri nxirrej nga oxhaqet, rrëzohej me sqep, rrallë herë me lëndë eksplozive, pa teknologji shfrytëzimi.

Në vitet e para të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj nazifashistë dhe tradhtarët e vendit nisi puna në minierë. Gjithsej bëheshin a nuk bëheshin 20 vetë. Ja, kaq njerëz kishte më 1947. Jetonin të gjithë në një barakë përtej Vjosës. Ushqimin e merrnin nga shtëpitë e tyre dhe secili gatuante për llogari të tij. Në mëngjes ngriheshin e shkonim në punë. Vetëm vareja dhe baromina qene veglat e tyre. Me to e prisnim qymyrin dhe e nxirrnin jashtë. Pas punës shkoni në pyll e prisnin shtyllat e armaturës për avancimin e ditës së nesërme. Ishte një kohë që s’barrohet, – thonë të vjetrit, një kohë nga e cila duhet të mësojnë këta të rinjtë e sotëm. Aq sa qenë të mëdha vështirësitë, aq qe i madh e i pashtershëm vrulli, forca punëtore. Në fillim qymyri transponohej me arka dhe kofinë. Pas 15 vjet më vonë Memaliaj kishte një tjetër pamje. U inaugurua një ndër fabrikat më moderne, krejt automatike për pasurimin e qymyrit.

Ora duket sikur ka mbetur larg në një të shkuar të pluhurosur nga harresa. Me një realitet të ngrirë mes vështirësive të një jete anemike, pa mbështetje, pa vëmendje, veç fjalëve që kanë pak ose aspak vlerë. Me vdekjen e minierës së qymyrgurit, Memaliaj ra në agoni të plotë, një agoni që mban ngërthyer të gjithë banorët e saj, çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë në këtë qytet me shpirt të madh e me frymëmarrje të vogël. Ngjyra e përhimët valëzon përmbi kryet e qytetit që duket hera-herës i braktisur, e hera-herës si një fotografi e vjetër e dalë nga arkivat. Pallate të rrjepur keqazi, dritare të mbyllura ku vështirë të dallohet mes arnash diçka e ndërtuar së fundmi. Gjithçka duket e heshtur, e zymtë ashtu si fytyrat e banorëve që lëkunden mes halleve të pafundme. I ngritur paralel me minierën, Memaliaj u zhduk nga harta e investimeve shtetërore që me mbylljen e saj. Askush nuk u kujtua më pas, në 23 vjet të përshkuar mes hapash të njëjtë e të lodhur.

Papunësia e mpleksur me kthimin e shumë emigrantëve nga Greqia ka thelluar më tej mes banorëve krizën ekonomike e sociale. Mundësitë janë thuajse inekzistente e ndjekin në një kalvar të mundimshëm një më një të gjithë të rinjtë në qytet. Shumicës së të kthyerve duket sikur tashmë i ka mbetur vetëm të shikojnë nga qielli pasi gjithçka tjetër ngjason e fundosur me harresën që rrethon Memaliajn. Borxhe mbi borxhe që zgjatohen kudo si zinxhirë duke marrë frymë familjesh memaliote me pak mundësi për të shtyrë jetën çdo ditë. Qyteti është mbytur nga invalidët që kanë lënë pas galeritë e qymyrgurit e që sipas shifrave zyrtare janë plot 218 ndërkohë 311 familje në qytet jetojnë vetëm falë ndihmës ekonomike si thërrime mbi të cilat duhet të ngrenë mbijetesën.

Në Memaliaj, çdo rrugicë, çdo pallat, çdo banesë, çdo kthinë e harruar fsheh pas dhimbjen e saj. Ashtu si në njërin prej kopshteve të mbyllur të qytetit ku drejtuesit lokalë kanë mundur t’i japin strehë një familjeje që ndan me varfërinë përditshmërinë e saj. Rrotullime të mbytura në bulevardin e vogël, si për të thyer hallet e për të mbytur dëshpërimin që endet tej e përtej si një hije tradhëtore. Varfëri, pamundësi, e ardhme e bllokuar nga braktisja, në një oaz të lënë mënjanë, a thua se nuk ekziston. Ky është sot Memaliaj, qyteti i përhumbur ku po rreshtin frymëmarrjet.

Memaliaj, kur gjallëronte jeta

Aty nga fillimi i viteve ‘50 nisën të ngriheshin blloqet e para të ndërtesave të qytetit. U strehuan në to familjet e para, u ngritën shkollat, kopshtet, çerdhet e para. Dhe me shpejtësi qyteti nisi të merrte formën e plotë. U hapën dyqanet e mapot, u ndërtuan kino-klubi, mensat, fjetoret e punëtorëve, lulishtet, parqet, rrugët. Dhe jeta e njerëzve të këtij qyteti nga dita në ditë bëhej me e gjerë e më e bukur, më e pasur e më e gëzueshme. Nga dita në ditë rriteshin ndërgjegjja dhe botëkuptimi i minatorëve. Memaliaj ishte një nga qytetet ku gjelbërimi dhe lulet shpërtheni gjithandej, bile ngjiteshin gjer në pezulin e sipërm të dritareve e të ballkoneve. Qyteti ishte i shëndetshëm, i pastër. Vajzat dhe djemtë e minatorëve rriteshin, mësonin e punonin së bashku, njiheshin e miqësohen me njëri-tjetrin.

Qyteti ku po rreshtin frymëmarrjet

Mijëra punëtorë të minierave vërshuan në emigrim , ndërsa pjesa tjetër e banorëve të mbetur tashmë janë në varfëri. Sot qyteti numëron vetëm 1200 familje, pjesa dërmuese e të cilave jeton me ndihmën sociale që merret nga bashkia. Në mungesë të bizneseve fason apo ndërmarrjeve të tjera, banorët sot janë më mjerim, ndërsa mbijetesa janë “listat” për të siguruar bukën e gojës. Në këtë kaos të varfërisë së njerëzve janë edhe institucionet, cilat përballen me mbijetesën me mbijetesën. Bashkia, psh, nuk ofron asnjë shërbim për qytetarët, kjo për shkak të mungesës së të ardhurave në këtë qytet. Deri më sot familjet e dikurshme të minatorëve kanë mbijetuar falë emigrimit, por sot pas krizës ekonomike kryesisht në Greqi familjet janë rrënuar dhe pjesa më e madhe kanë nisur kthimin drejt vendlindjes. Jeta për këtë të fundit është edhe më e vështirë pasi vijnë pa asnjë mundësi punësimi, ekonomike e të ardhura.

Nga qymyr i zi, në ar vezullues!…

Miniera e qymyrgurit në Memaliaj u krijua ndërmarrje më vete me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.34 datë 15 korrik 1949, se deri atëherë ishte sektor në vartësi të minierës së Kërrabës. Por rruga e zhvillimit të planifikuar filloi në 1951. Atë vit u hodhën edhe themelet e qytetit Memaliaj. Vendin e çadrave e të barakave buzë galerive e zunë godinat e para një e dy katëshe, fjetoret e punëtorëve dhe ofiçina e minierës që kishte një torno të vjetër, një forxhe dhe një aparat saldimi. Me kalimin viteve miniera e Memaliajt u shndërrua në një qendër të rëndësishme industriale jo vetëm për rrethin e Tepelenës, por edhe për të gjithë vendin. Ajo nxirrte 40% të sasisë së qymyrit në shkallë vendi. Kjo minierë furnizonte me qymyr 24 rrethe të vendit. Një rëndësi të veçantë në plotësimin më të mirë të nevojave të ekonomisë me qymyr dhe rritjes së efektivitetit të prodhimit ka dhënë vënia në shfrytëzim në vitin 1971 e fabrikës së pasurimit të qymyrit. Në këtë mënyrë u krijuan mundësitë për përdorimin më racional të qymyrit nga ekonomia. Qymyri i kësaj miniere në krahasim me fushat qymyrgurore të Ballkanit ka pasur fuqi kalorifike relativisht të lartë, por me përmbajtje squfuri mbi normat ndërkombëtare, rreth 3% nga nën 1% e lejuar.
Pas vitit 1990 me ndryshimin e sistemit shoqëror filloi të ulet gradualisht deri sa miniera u mbyll për arsye se dilte me humbje./Dita