Libohovë, bimët medicinale mbeten stok (VIDEO)
Qindra grumbullues dhe kultivues bimësh medicinale në jug të vendit flasin për sasi të mëdha bimësh medicinale të thatë të pashitur dhe për kosto të jashtëzakonshme ekonomike të lidhur më të.
Vetëm në Libohovë dhe Nepravishtë janë disa qindra familje që jetojnë me të ardhura kryesore ato të shitjes së sherebelës së thatë. Një pjesë e tyre kanë filluar dy vjet më parë ta kultivojnë sherebelën edhe në parcela.
Fillimisht, grumbulluesit njoftuan përgjysmimin e çmimit të bimës së thatë dhe më pas nuk u shfaqën më për grumbullimin e saj.
Arben Beqari, kultivues bimësh medicinale, thotë: “Vjet eci mirë, ndërsa sivjet ka mbetur stok. Po punojmë e nuk po marrim lekë.”
Ndërsa Shpëtim Beqo, grumbullues bimësh medicinale, shprehet: “Është një gjendje shumë alarmante. Marrim kredi në bankë për ta kultivuar e tani nuk e shesim dot.”
Vetëm nga rrethinat e Gjirokastrës dhe Tepelenës grumbulluesit e bimëve medicinale tërheqin çdo vjeshtë më shumë se 1000 ton bimë të thatë. Cmimi për kilogram vitin e kaluar shkonte në 160-170 lekë, ndërsa këtë vit çmimi i propozuar fillestar ishte 100 lekë të reja. Më shumë se 40% e banorëve të zonave rurale në të gjithë qarkun e Gjirokastrës jetojnë vetëm falë grumbullimit dhe shitjes së bimevë medicinale. /Tch