Policia arreston grabitësin e Teqesë së Lazaratit
Autori i dyshuar i vjedhjes së Teqes së Lazaratit është arrestuar ditën e sotme. Në pranga ka rënë 23-vjeçari Spiro Kotroci, i cili dyshohet se më 4 korrik të këtij viti kishte hyrë në ambientet e Teqes dhe kishte vjedhur prej saj disa sende me vlerë.
Gjykata kishte vendosur ndaj 23-vjeçarit masën e arrestit me burg. Policia priti sigurimin e provave shkencore për autorin e vjedhjes dhe më pas zbatoi vendimin e gjykatës.
Ai është dënuar edhe më herët me 6 muaj heqje lirie për shkak se është kapur nga policia duke drejtuar një mjet pa pasur dokumentacion përkatës, ndërsa burime nga blutë e Gjirokastrës bëjnë me dije se Spiro Kotroci është autori i dyshuar i vjedhjes së disa automjeteve.
Qëndrimi zyrtar i policisë:
Më datën 06.11.2014 , Specialistët e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Gjirokastër , kanë bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit: Spiro Kotroçi, vjeç 23, banues në Gjirokastër.
Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim , pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër me vendim Nr 362 datë 02.09.2014, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në Burg” , për veprën penale të “Vjedhjes”.
Ky shtetas dyshohet se më datën 04.07.2014 , ka vjedhur Teqenë e Baba Zenelit në Lazarat, ku për këtë ngjarje janë siguruar nga grupi hetimor prova shkencore për autorësinë e kësaj vjedhje.
Njëkohësisht ky shtetas është i dënuar me 6 muaj Burg në mungesë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër në Janar 2014 me Vendim Nr 396, për veprën penale “Drejtim i automjetit pa leje drejtimi”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Gjithashtu ky shtetas dyshohet se është autor i disa vjedhjeve të automjeteve të ndodhura më parë. Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.