“Gjenerali” i pemëtarisë shqiptare
Nëse Dhaskal Todri kishte germat dhe alfabetin; Abedin Çiçi, fidanët
Prof.Dr. Hysen Çobani
Më duhet ta them që në fillim, se shkrimi im për Abedin Çiçin, do të ketë karakter pak intim për vetë rrethanat që më lidhin me këtë njeri, që ka bërë kaq shumë për vendin e tij, sa, me plot gojën, mund të quhet “Rilindës“ i shkencave bujqësore, megjithëse këtë emër kultura shqiptare e ka rezervuar vetëm për njerëzit e gjuhësisë e të artit. Ai ka vdekur por vazhdon të punojë!…
***
Në vitin 1934, fill pas mbarimit të shkollës teknike në Tiranë dhe specializimit në Itali, ai emërohet për herë të parë si drejtor i fidanishtes së Laprakës. Brenda 4 vjetëve fidanishtet bija që u projektuan e u krijuan nënë drejtimin e tij në Peshkopi, Korçë, Kukës, Kavajë, Fier, Libohovë, Borsh, etj ; u arrit të prodhoheshin mbi 1.5 milionë fidanë në vit. Kjo bëri që t’i thuhej “stop” importit. Për rrethana të njohura politika pro-italiane e kohës hakmerret. Në vitin 1938 Ministria e Bujqësisë tenton ta zëvendësojë me një drejtor italian dhe e pushon nga puna. Nga ky akt i paprecedent merr shkak zemërimi i punëtorëve të fidanishtes që ka hyrë në histori me emrin revolta e Laprakës. Por forca progresiste të administratës së kohës ditën ta mbrojnë. Ai emërohet si kryespecialist i sektorit të gjelbërimit pranë Ministrisë së Brendshme Kombëtare në Tiranë.
1939 pushtimi fashist. Ai emigron në Jugosllavi e më vonë në Greqi. Megjithëse iu krijuan kushtet për të ikur bashkë me ushtarët anglezë nga Greqia, ai iu bashkëngjit një grupi çam të internuar në Kretë e bashkë me ta kthehet në Çamëri. Në vitin 1941 kthehet në Atdhe dhe pa asnjë hezitim zë vendin që i takonte si aktivist në gjirin e lëvizjes nacional-çlirimtare pasi nuk kishte rrugë tjetër për djalin e patriotit Devish Çiçi që ishte vrarë për Atdhe në radhët e çetës së Çerçiz Topullit. Dhe nuk vonon ai burgoset si aktivist antifashist. Por burgu nuk e pengon atë të mendojë edhe në qelitë e tij si agronom. Ashtu si poetët që kudo janë poetë dhe Abedin Çiçi kudo ishte vetëm agronom. Shkruesit të këtyre radhëve i ka mbetur ende në kujtesë nga vizita në burg bashkë me gjyshen time, këpucët pa lidhëse, pantallonat pa rrip dhe vizatimet në mur me skica e skema pemëtoresh.
Me të dalë nga burgu ai rreshtohet në radhët e ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në Përmet ai zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist-NÇL dhe pak më vonë emërohet si shef i bujqësisë për zonën e parë operative Vlorë-Gjirokastër, kur të tjerët merrnin grada e tituj ushtarak. Të kësaj periudhe kemi shumë fotografi dhe ato flasin për karakterin e tij, për pasioni e tij të patjetërsueshëm agronomik. Nëse të gjithë në këtë periudhë pëlqenin të dilnin me armë në brez, Abedinin si një misionar i progresit agrar, kudo e sheh me gërshëre në dorë.
Gërshëra e tij është proverbiale. Ajo duhet futur në muze. Simbol i dashurisë së tij agronomike. Ajo është atje ku është Ai. Ndoshta edhe sot në këtë tubim ai atë e ka me vete. Ajo rri e heshtur në çantën e tij si një armë besnike e xheloze për pronarin e saj. Por ai nuk është simbolik abstrakt. Ai e ruan kudo e me besnikëri të padyshimtë shtegun e tij. Ai godet në shenjë me një votë kundra (ndoshta e para dhe e fundit votë kundra në historinë e të ashtuquajturës demokraci komuniste) vartësinë bujqësore nga Jugosllavia, votë të cilën e shoqëroi me një thënie që ka mbetur me vlera dhe sot: mirë bukën do ta marrim nga Serbia, po kashtën për qetë nga do ta sjellim ?! Pas viti 1945 ai është në luftë për të gjetur veten në kuadër të regjimit të ri. Fillimisht caktohet si shef i Frutikulturës në Ministrinë e Bujqësisë. Por kjo nuk vazhdon gjatë. Në vitin 1947 pushohet nga puna me motivacionin “për mungesë vullneti dhe rendiment të ulët në punë”.
Nisën vështirësitë. Hija e shkollës teknike amerikane e ndiqte nga pas si dhjetëra nxënës të talentuar të kësaj vatre të edukatës së punës dhe patriotizmit shqiptar. Çdo lëvizje kishte vetëm një qëllim: për ta mënjanuar, zvogëluar dhe denigruar figurën e tij. Dhe ja cila ishte kronika e tij: – Punëtor krahu 1947 – Mësues në Teknikumin Bujqësor
– Agronom në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Tiranë.
Ai ishte interesant në çdo pikëpamje, të cilit i shfaqi te “Gjergj Dimitrovi”. Kjo fermë në planin kombëtar kishte vlera të veçanta. Ajo ishte ndërmarrja pionier që hapi një epokë në bujqësinë shqiptare, që u ndoq më pas nga N.B.Vora, N.B.Shkodra, plantacionet e bregdetit, Ksamilit, Peshkopisë etj. Ai tregoi sesi mund të transformohet mjedisi, sesi tokat, kodrat e lëna pas dore mund të gjelbërohen, të kthehen në vende të lulëzuara, ekologjikisht të pastra e të shëndetshme. Këtej na lind e drejta të quajmë Abedin Çiçin jo vetëm një agronom të madh, por edhe një ekologjist të madh.
Tani populli e ndiqte atë pas kudo që shfaqesh. Atë nxënësin e talentuar të Harri Fullcit të madh dhe Profesor Moretinit. Agr.Abedin Çiçi tashmë është kthyer në simbol. Emri i tij kishte marrë dhenë. Ai ishte afirmuar si: Agronom projektues – Agronom zbatues – Agronom administrues – Agronom adoptues – Agronom koleksionues – Agronom zbulues (mjafton të përmendim Sheshin e Bardhë e Sheshin e Zi) – Agronom arkivues. Dhe mbi të gjitha agronom teknolog për disa specie, teorik dhe praktik, i shprehur në një numër jo të vogël librash, broshurash, tekstesh shkollorë, artikuj dhe përkthime voluminoze nga shumë gjuhë si anglishtja, italishtja, greqishtja, serbishtja, etj. Të gjitha këto presin një botim të plotë, si një ndihmesë e veçantë për bujqësinë dhe kulturën shqiptare, duke thyer monopolin e gjuhësisë e cila ka vlera të padiskutueshme, por kopshti i kulturës kërkon të gjitha lulet e mendimit. Por ne si gjithmonë të vonuar shkojmë drejt vlerave të vërteta, kur vdesin ata që i kanë prodhuar ose kur janë afër saj. Vetëm në fund të jetës ekologjistit dhe agronomit të madh ju dha titulli “Mjeshtri i Madh i Punës“, dhe kjo në sajë të nismës së “Klubit ekologjik“, ku ai ishte Anëtar Nderi.
Jeta
Lindi në Nepravishtë të Gjirokastrës më 28 nëntor 1911, vdiq më 2005. Në vitin 1932 niset për në Firence të Italisë në Institutin Pomoligjik ku vazhdoi studimet deri në vitin 1933. Nga viti 1934 deri në prill të vitit 1939 punon si kryeteknik i fidanishtes së Laprakës në ngritjen e fidanishteve të tjera rajonale si në Peshkopi, Korçë. Merr pjesë aktive si partizan në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit kryen detyra të ndryshme si shef i sektorit të pemëtarisë në Ministrinë e Bujqësisë, duke hartuar programe për fuqizimin e fidanishteve ekzistuese dhe për ngritjen e të rejave. Në vitin 1950 emërohet nën drejtor i teknikumit bujqësor Kamëz ku merret me mësimdhënie dhe me hartim programesh dhe tekstesh mësimore. Në 1951 emërohet shef i sektorit të Hortikulturës pranë stacionit kërkimor bujqësor në Brakë të Tiranës.
Në 1955 teknikumi bujqësor kthehet në Institutin e Lartë të bujqësisë ku vazhdon
mësimdhënien. Në fund të vitit 1955 emërohet drejtor i NB “17 Nëntori”. Në 1964 deri 1970 punon në Seksioni e bujqësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ku në shtator të 1970 del në pension por që vazhdon të punojë pranë seksionit të bujqësisë së rrethit deri në fund të vitit 1980. Aktivizohet si pedagog i jashtëm në UBT.
Për merita pune është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme si “Medalja e
Kujtimit”, “Trimërisë”,”Çlirimit”,”Laureat i Çmimit të Republikës të Klasit të
Parë”,”Medaljen e Punës” dhe të “Arsimit”. Nga Akademia e Shkencave Ruse,
“Medaljen a Artë të Miçurinit”. Në vitin 2000 Instituti Biografik i Kembrixhit e dekoron me medaljen e argjendtë “Njeriu i Shekullit”. Me rastin e 90 vjetorit të lindjes dekorohet me “Mjeshtri i Madh i Punës”.
Prezent në historinë shqiptare
Përveç vlerave profesionale ai sot rëndon më shumë në krahun social, nëse duam të përfitojmë nga integralja e karakterit të tij patriotik. Dhe pse?! Ndihmesa e tij dhe ai vetë ka qenë prezent fizikisht në të gjithë historinë e Shqipërisë moderne që nga vitet ‘30-të e deri më sot. Ai ka qenë dhe ende mbetet një nga figurat qendrore të bujqësisë shqiptare dhe si i tillë do të mbetet në kohë. Agronom patriot, ky binom na duhet të funksionojë në Shqipëri, nëse duam të bëhemi qytetarë të denjë shqiptaro-evropianë.
Abedin Çiçi ishte i tillë dhe ne jemi fatlumë që e kemi pasur midis nesh.
Shqipëria ka nevojë për njerëz si Ai
Ai ende dhe sot rron me shqetësimet tona, me dëshirat, me ëndrrat, me projektet për të ardhmen duke sfiduar harresën që përpiqet ta mbulojë atë. Sot ai është i madh, i lartë, 100 e ca vjeçar, me një kurorë me 100 e ca degë, nëse do të flisnim me gjuhën e frutikulturës, ku ka vend për t’u ulur të gjithë ne shqiptarët, për të mësuar, për t’u ngushëlluar, për t’u frymëzuar për punë më të mira në dobi të së ardhmes kombëtare, duke i uruar edhe 1000 vjet kujtesë të gjatë, shumë të gjatë se Shqipëria ka nevojë ende për të, për hapin e tij, për vështrimin e tij, për fjalën e tij të ngrohtë dhe shpresëdhënëse, … se Ajo do të bëhet…se ka të drejtë të bëhet kur lind njerëz si ai.
Kryevepër faustiane në rrethinat e Tiranës
Në vitin 1956, pas gati 9 vjetësh, më në fund atij i besohet krijimi dhe drejtimi i N.B “Gjergj Dimitrov“. Para tij sfida më e madhe e jetës. Brenda 8 vjetësh (1956-1964) ai krijoi nga hiçi 1200 ha vreshta e qindra e mijëra vreshtarë. Plantacioni më i madh në Ballkan, ndoshta dhe më gjerë. Ëndrra, pasioni, kryevepra e tij faustiane. Dilte në fushë pa lindur dielli dhe kthehej pasi errësohej. Disa herë e kanë gjetur ne fushë pa ndjenja nga mbilodhja. Pa bërë pushim prej vjetësh dhe një herë që e detyruan të pushonte në Pogradec, pothuaj se të gjithë kohën e harxhoi duke shkuar fshatrave përreth. Nuk e teprojmë nëse themi se ai në N.B “Gjergj Dimitrov” mori gradën “Gjeneral i pemëtarisë shqiptare”
Minierë ari që nuk shteron kurrë
Paralelizëm shumë domethënës, para 140 vjetëve (nga 1933) vinte në Shqipëri një atdhetar i madh, Dhaskal Todri dhe tani Abedin Çiçi. I pari me shkronjat e alfabetit, i dyti me një koleksion drufrutorë modern e të panjohur nga pemëtaria shqiptare. Dy objekte të ndryshme në dukje, por të frymëzuar nga e njëjta ndjenjë, dashuria për Atdheun, ari i së cilës nxirret vetëm nga zemrat e atdhetarëve. Dhe zemra e Abedin Çiçit është një minierë që ka 100 vjet që prodhon këtë ar dhe nuk po shteron, sepse ai nuk ka qenë kurrë një patriot deklarativ, por aktiv e konkret. Jeta e tij e thotë, puna dhe vepra e tij e dëshmon.
Më duket se më thërrasin pemët: “Na ndihmo, Abedin”!…
Njeriu mund të rrëgjohet, thinjet, mpaket e mplaket edhe brenda një dite, madje edhe për pak çaste… Rrëgjohet e merr fund nga një dhimbje tepër e madhe, nga një humbje e papritur, nga një tragjedi e papërballueshme. Sa e sa raste të kësaj natyre numërohen, tregohen, apo janë shkruar në tregime e romane! Kjo që do të tregoj më poshtë nuk është pjellë e fantazisë, as krijim artistik. Është një episod krejt i vërtetë, që ma tha një shoku im kur e kishte takuar mikun e pemëve, Abedin Çiçin, këtu e tetëmbëdhjetë vjet më parë… Abedini, të cilin e njihnin të gjitha gjeneratat e studentëve që kanë mbaruar në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës, ato vitet e para të Demokracisë e pashë e pashë në gjendjen më të mjeruar se kurrë ndonjëherë. Vetullngrysur, flokëlëshuar, të këputur, të kërrusur, me sy të përvuajtur e të përlotur që pasqyronin një dramë, një dhimbje të thellë, shumë të thellë të shpirtit të tij… Një gjë e keqe i kishte ndodhur, një fatkeqësi e madhe i kishte rënë, kjo dukej qartë… M’u dhimbs. Profesori sikur ishte plakur papritmas gjatë një kohe të shkurtër që nuk ishim parë. Por mbase ishte plakur edhe natën e shkuar, atë mëngjes, pra në fillim të asaj dite nga fatkeqësia e beftë, nga hataja që e kishte pllakosur, mendova atë që thonë mjekët dhe psikologët…Megjithëse me më shume se 80 vjet mbi supe, ai të habiste me energjitë, pasionin që s’iu shuajt asnjëherë, me dashurinë e madhe për punën dhe pemët. Më një palë gërshërë për krasitje gjithmonë në xhep, me një brisk e bisturi për shartime, ai rendte çdo ditë për diku, për te një shkollë që t’u fliste të rinjve për frutikulturën; rendte për te një mik, për të dhënë një këshillë, për te një vresht apo një pemë që ka nevojë për duart e mjeshtrit. Ishte krejt normale për të që të hynte në oborrin e një shtëpie e, pa folur me njeri e pa i thënë kush, të krasiste një pemë të lënë pasdore nga të zotët. Takohej me pemët, u shërbente atyre, i ledhatonte e i zbukuronte, pastaj kujtohej për njerëzit… Dhe ai kishte miq të panumërt në Tiranë e nëpër fshatra. Të gjitha këto punë e mirësi pa shpërblim, i jepnin atij një kënaqësi të pakufishme, por edhe një hir djaloshar. Ndaj dhe ishte krijuar përshtypja se vitet bënin në vendnumëro për të. Kurse tani, ai shikonte se si shkatërroheshin plantacione të tëra, se si priteshin dhe digjeshin dhe fironte në shpirt çdo ditë. Ne mbaruam, Abedin, kurse ti bën sehir!…Kështu u plak e u mpak deri sa vdiq, më shumë nga marazi…
Hidhmëni dhe mua në det bashkë me fidanët”!…
Dhjetor 1933. Në mes të ujëdetit të ftohtë e plotë shi, një djalë shqiptar pas një viti specializimi në Itali, kthehej me anije nga Ankona për në Atdhe. Natën, para se udhëtarët të flinin kontrollori i anijes dallon një ngarkesë me fidanë frutorë të hedhur diku në një anë. Pasi dokumentacioni e gjeti të parregullt urdhëroi që të hidheshin në det. Djaloshi flokëverdhë pa bërë zë i pushtoi fidanët me krahët e tij dhe me një zë të vendosur i thotë inspektorit : “Hidhmë bashkë me fidanët dhe mua në det”. Italiani i mirë, i çuditur nga qëndrimi i këtij udhëtari iku pa i dhënë përgjigje dhe nuk u kthye më në atë cep të anijes ku vazhdonte të rrinte roje në mes të shiut agronom Abedin Çiçi, për të cilin jemi mbledhur sot afro 80 pas kësaj ngjarje mbresëlënëse./Dita