Mungesa e etikës me qytetarët, masë disiplinore për 4 policë në Gjirokastër
Ministria e Punëve të Brendshme i ka kushtuar një rëndësi të veçantë mirëfunksionimit të numrit 129 dhe komunikimit sa më korrekt e në mënyrë të kulturuar të punonjësve të policisë me detyra në sallat e drejtimit. Në të gjitha rastet që janë shfaqur mangësi apo shkelje të urdhërave të brendshëm për funksionimin e numrit 129 janë marrë edhe masat përkatëse.
Kështu pas një inspektimi të kryer në muajin tetor nga Drejtoria e Inspektimit të Përgjithshëm të Ministrit të Brendshëm është vërejtur se disa punonjës policie me detyrë në sallat operative të drejtimit në të gjithë vendin nuk kanë zbatuar metodologjinë e komunikimit me qytetarët në numrin e telefonit 129. Më konkretisht, nuk kanë përdorur shprehjen e përcaktuar në urdhërin e Drejtorit të Përgjithshëm në përgjigjen ndaj qytetarëve që telefononin në numrin 129.
Shprehja e detyruar është “Policia e Shtetit Tiranë (rrethi përkatës), si mund t’iu ndihmojmë”, ndërsa efektivët e policisë përgjigjeshin me “Alo”, “Urdhëro” etj.
Bazuar mbi rezultatet e inspektimit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka dhënë masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për 46 punonjës policie me detyrë në sallat operative. Per Drejtorine e Policisë Qarku Gjirokastër janë marrë masa disiplinore ndaj 4 policëve. Sipas qarqeve jane marre keto masa.
- Drejtoria e Policisë Qarku Shkodër 5 punonjës policie
- Drejtoria e Policisë Qarku Lezhë 3 “
- Drejtoria e Policisë Qarku Dibër 5 “
- Drejtoria e Policisë Qarku Durrës 3 “
- Drejtoria e Policisë Qarku Fier 4 “
- Drejtoria e Policisë Qarku Elbasan 4 “
- Drejtoria e Policisë Qarku Berat 2 “
- Drejtoria e Policisë Qarku Korçë 5 “
- Drejtoria e Policisë Qarku Kukës 3 “
- Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë 6 “
- Drejtoria e Policisë Qarku Gjirokastër 4 “
- Drejtoria e Policisë Qarku Tiranë 2