Gjirokastër, shembja e urës së Zhulatit rrezikon jetën e dy mësuesve
Ura e Zhulatit në Gjirokastër është shembur mëngjesin e sotëm ndërsa mbi të ishte duke kaluar një automjet.
Në automjet ndodheshin dy mësues që udhëtojnë çdo ditë për të dhënë mësim në shkollën e fshatit, të cilët rrezikuan jetën për shkak se automjeti u rrëzua në shtratin e lumit.
Ata kanë mundur të dalin nga mjeti dhe të kërkojnë ndihmë. Fatmirësisht, automjeti ra në pjesën e fillimit të kësaj ure, e cila duket se është shembur për shkak të erozionit në këmbët e urës dhe të reshjeve të mbrëmjes së kaluar.
Mësuesit janë jashtë rrezikut për jetën. Në një rrëfim për News 24 mësuesi që po drejtonte mjetin, tha se jeta e tij dhe e një kolegeje u rrezika seriozisht, pasi nëse do kishin ecur edhe pak mbi urë, ata mund të kishin përfunduar në lumë e mjeti mund të ishte batuar.
“Vij çdo ditë me makinën time në këtë rrugë nga larg dukej në rregull ura, shpëtuam paq, kjo si rezultat i mosbërjes së urës. Me një shi kaq të vogël u krijua kjo situatë alarmante. Makina edhe mund të ishte batuar, mund të kishte përfunduar në lumë”, rrëfen ai
Por, shembja e urës do të izolojë 3 fshatra me rreth 300 banorë.
Kjo urë shërben për të lidhur tre fshatra me 300 banorë. Deri në riparimin e saj asnjë mjet nuk mund të kalojë për shkak të rrezikshmërisë së madhe që paraqet.