Gjirokastër, restaurohen dy banesa “Monument Kulture”
Çdokush impresionohet kur shikon madhështinë e Gjirokastrës dhe të banesave të saj monumentale. Prej shekujsh me radhë ato i kanë rezistuar edhe kushteve atmosferike me të këqija sepse mbroheshin nga frymët njerëzore që jetonin brenda tyre. Sot, në kushtet e mungesës së mirëmbajtjes dhe braktisjes së plotë të tyre, një numër i konsiderueshëm i monumenteve të qytetit ose janë zhdukur plotësisht, ose kanë nisur rrugëtimin drejt shndërrimit në rrënoja, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në shndërrimin e ngadaltë, por të pashmangshëm, të kompleksit historiko-arkitektonik të qytetit muze të Gjirokastrës.
Numri i madh i monumenteve që kanë nevojë për ndërhyrje dhe mungesa e fondeve të mjaftueshme e përkeqësojnë më shumë situatën. Organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (Cultural Heritage without Borders) ka nisur implementimin e projektit “Gjirokastra-aty ku fillon ndryshimi”, projekti i parë i kësaj natyre në zonën historike të Gjirokastrës. Synimi i tij është që të mbrohen disa objekte në gjendje rrënoje nga degradimi i mëtejshëm, si dhe të rritet ndërgjegjësimi për numrin e madh të monumenteve në këtë gjendje në qytetin e Gjirokastrës dhe nevojës emergjente për ndërhyrje në to. Ky projekt i financuar nga Fondacioni Prince Claus, në kuadër të programit CER (Cultural Emergency Response – Përgjigje Emergjente për Kulturën) dhe Swedish Development Cooperation konsiston në ndërhyrje emergjente për dy monumente të kategorisë së dytë, banesat Hadëri dhe Gurgai.
Monumenti Hadëri përballet me shembjen e plotë të çatisë dhe shembjen e pjesshme të mureve, si pasojë e mungesës totale të mirëmbajtjes. Banorët e fundit u detyruan ta braktisnin objektin para disa vitesh, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj rreziqeve të shumta. Me kalimin e kohes banesa e braktisur ka shkuar drejt degradimit. Banesa Gurgai paraqet një rast tipik të degradimit të banesave karakteristike në Gjirokastër. Mungesa e mirëmbajtjes ka shkaktuar dëmtimin e çatisë e kjo ka sjellë si pasojë depërtimin e ujit në brendësi të banesës duke shkaktuar kalbjen e dyshemeve dhe tavaneve prej druri të të gjitha kateve, por edhe dëmtime në nuraturën e gurit. Në mungesë të ndërhyrjeve në këtë fazë, banesa Gurgai rrezikonte shumë shpejt të shndërrohej, edhe ajo, në një rrënojë me shumë për qytetin. Ky projekt i CHwB-së dhe Prince Claus synon ndërhyrje emergjente për parandalimin e dëmtimit të mëtejshëm të monumenteve nëpërmjet strukturave të përkohshme, si dhe mbulimin me materiale të lehta. Kjo është një qasje e re përsa i përket mënyrës së ndërhyrjeve dhe do të shërbejë njëkohësisht për rritjen e ndërgjegjësimit për numrin e konsiderueshëm të monumenteve në këtë gjendje./KohaJone