Gjirokastër, digjet shtëpia e lindjes së disidentes Musine Kokalari
Banesa ku ka lindur disidentja Musine Kokalari është shkrumbuar nga flaket rreth orës 20:00 të së premtes. Brenda pak minutash flakët kanë përpirë banesën tre katëshe në lagjen Palorto në Gjirokastër.
Ndërsa 5 anëtarët e familjes, pasardhës të Musine Kokalarit, që jetonin në këtë shtëpi, kanë mundur të dalin duke i shpëtuar flakëve.
Në vendngjarje kanë mbëritur efektivat e policisë dhe zjarrfikësit të cilët të ndihmuar edhe nga banorë të lagjes kanë tentuar të shuajnë zjarrin. Por, flakët kanë përfshirë të gjitha katet duke e shkrumbuar tërësisht shtëpinë ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme disidentja Musine Kokalari.
Shtëpia kishte edhe një profil të veçantë të ndërtimeve tradicionale të qytetit me gur dhe dru.
Vitet e fundit pasardhësit e familjes Kokalari të mbështetur edhe me fonde nga Bashkimi Europian, kishin nisur restaurimin e shtëpisë për ta kthyer atë në një muze të disidencës antikomuniste./ora news