Konflikt për pronën në Gjirokastër, masakrohet me kosore 27-vjeçari
Një djalë i ri u masakrua me kosore nga fqinji i tij 50 vjeçar për shkak të një konflikti mes tyre për çështje pronësie dhe më tej u ndesh me grushte dhe shkelma nga tre të tjerë. Ngjarja ka ndodhur sot paradite në vendin e quajtur “Votuca”, pranë fshatit Picar të rrethit Gjirokastër.
Policia lokale tha se Artur Duro, 50 vjeç, për motive pronësie, ka goditur me mjet prerës metalik kosore, 27 vjeçarin P.S., banues në fshatin Picar Gjirokastër, duke i shkaktuar plagë në bark. Por nuk ka mjaftuar kosorja sepse të riut i janë sulur me grushta dhe shkelma edhe tre persona, të afërm të Duros.
I dëmtuari është dërguar në spital ku mjekët pas ndërhyrjes thonë se është jashtë rrezikut për jetën.Pasditen e sotme, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Artur Duro. Gjithashtu po për këtë ngjarje filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasit: XH.D, 46 vjeç, A.D, 18 vjeç dhe E.K, 35 vjeç, banues në Gjirokastër