Nevoja për ringritjen e mitit historik të familjes Libohova

IMG_0316
E vetmja fotografi e Myfit Bej Libohovës që ndodhet brenda sarajeve të tij.

Libohova është njohur thjesht për shkak të familjes Libohova, konkretisht prej Myfit Beut, legjendës së shqiptarizmit në jug të Shqipërisë, i cili ishte edhe delegat në shpalljen e pavarësisë në Vlorë dhe njeriu që shpëtoi aneksimin e jugut të vendit nga Greqia. Por tashmë pas më shumë se një shekulli, nga e gjithë historia e lavdishme e familjes Libohova, kanë mbetur thjesht sarajet në qendër të qytetit, ndërsa mungojnë nisma dhe projekte konkrete për t’i dhënë një tjetër dimension figurës së Myfit Beut dhe për ta përdorur historinë e familjes së tij në fuksion të zhvillimit të turizmit.

Kompleksi muzeal i sarajave të familjes Libohova, që prej restaurimit të tij në vitin 2007 falë kontributit të një prej nipërve të tij, Kapllan Beut, ka mbetur thjesht një grumbull ndërtesash që nuk ofrojnë asgjë. Brenda këtyre sarajeve s’ka asnjë shenjë për historinë shqiptare të kësaj familje të madhe. Nuk ka asnjë bust të Myfit Beut, ndërsa varri i tij, pak metra më tutje sarajeve, i rrethuar mes hekurave, është e vetmja shenjë e pranisë së tij në Libohovë. Në ato saraje s’ka asnjë fotografi të zonjës Ollga, nuses skandinave të familjes Libohova që jetoi në Libohovë e vetme deri vonë dhe u bë si nënë e dytë për shumë banorë të këtij qyteti.

Sarajet e Myfit Beut mungojnë pothuajse fare në guidat turistike, ndërsa sapo shkel në Libohovë si udhëtar nuk gjen një tabelë orientuese, një pllakat apo broshura rreth familjes Libohova. Pranë sarajeve ekziston vetëm një pllakat që nga koha e komunizmit, ku tregohet se prej aty janë nisur partizanët në një betejë. Vazhdimisht është hedhur ideja për vendosjen e një busti, pse jo një shtatoreje, të Myfit Beut në sheshin përballë sarajeve të tij. Por deri më tani nuk është bërë asgjë, qoftë nga bashkia ashtu edhe nga qeveria. Libohova sot nuk ka një muzeum dhe historia e lavdishme e familjes Libohova është një arsye më shumë për ta ndërtuar një të tillë, pse jo brenda sarajeve të kësaj familje.

Më shumë se kurrë, Libohova sot ka nevojë për të shkuarën e lavdishme të familjes Libohova dhe ringritjen e mitit historik të kësaj familje. Nipërit e Myfit Bej Libohovës që sot jetojnë në Perëndim, nuk mund të kujdesen për gjithçka. Atyre u mjafton historia dhe lavdia e familjes prej nga vijnë, ndërsa Libohovës i duhet kjo histori për ta përdorur si destinacion turistik. Nuk mjafton thjesht dhe vetëm që sarajet e Myfit Beut të rikonstruktohen një herë në disa vjet dhe kaq. Brenda tyre duhet të zbatohen projekte konkrete në funksion të zhvillimit të turizmit dhe ringritjes së mitit historik të familjes Libohova, e cila ka qenë degë e familjes së Asllan Pashës, që ka qeverisur prej viteve 1400 në Vilajetin e Janinës. © libohovaonline.com

02-1024x574
Sheshi përballë sarajeve të Myfi Bej Libohovës.