Dosier/ Konflikti për lejen e ndërtimit pranë rrapit të Libohovës

1000430_289923941152624_458783647_n
Rrapi shekullor i Libohoves

(Botuar ne gazetën “Shekulli” më 03 prill 2006)/ Leje ndërtimi pranë rrapit 520-vjeçar. Kryebashkiaku i Libohovës jep alarmin: Do t’’i presë jetëgjatësinë.

Rrapi i famshëm i Libohovës rrezikon të shkatërrohet, pasi ka kaluar moshën 520-vjeçare. Ky monument natyror mund të mos ekzistojë më si pasojë e ndërtimeve pa kriter, por të ligjëruara nga organet kompetente shtetërore, duke shkelur haptas ligjet e natyrës.

Në hijet e rrapit ku kanë pushuar mjaft figura të kombit shqiptar në shekuj, tashmë “dremisin” mjetet e ndërtimit dhe betoni që po i zë frymën rrënjëve të tij. Alarmi për dëmtimin e kësaj vepre natyrore vjen nga kryetari i Bashkisë Libohovë, Vladimir Hide. Ai pohon, se prej vitesh po vazhdon odiseja e gjyqeve sepse proceset në shkallët e drejtësisë, zhvillohen pa pjesëmarrjen e palës së paditur dhe në fund rezulton se firma ndërtuese fiton jo 57m2 që janë me dokumente arkivore, por mbi 350m2 e më tepër duke hyrë në pronën publike. “Personi, i cili pretendon se është pronar i truallit pranë rrapit të famshëm, kërkon të ndërtojë një objekt të madh, i cili do t’i marrë frymën kësaj vepre të natyrës”, deklaron Hide.

Sipas kryebashkiakut, ndërtimet pranë pemës shekullore janë filluar pa marrë më parë lejen e ndërtimit, të cilën më pas rezultoi ta kishte marrë jo nga KRRT-ja e Bashkisë së Libohovës, por nga ajo e Qarkut. Me nisjen e ndërtimeve kurora e rrapit të famshëm nuk do të ekzistojë e për pasojë, do të shkojë drejt rrënimit total sepse pa dritë dhe ujë, rrapi nuk njeh rritje. “Pronari që kërkon të ndërtojë në këtë zone, është në konflikt gjyqësor me bashkinë, çështje, e cila do të zgjidhet ligjërisht sapo të përfundojë hipotekimi i pasurive të paluajtshme të Bashkisë së Libohovës, ku përfshihet edhe sipërfaqja nën kurorën e rrapit, sipas vendimit të qeverisë”, deklaron Hide.

Megjithatë, problem mbetet një plan rregullues i qytetit që nga viti 2000 i KRRT-së, i miratuar më pas dhe nga Prefektura, por në të nuk janë marrë parasysh të gjithë faktorët relevantë. Kryebashkiaku i Libohovës ka kërkuar një raport teknik nga një komision i përbërë nga specialistë, inxhinierë pyjesh për të garantuar moscenimin e elementëve jetikë të kësaj vepre të natyrës, ku për vetë përmasat, vitet e jetës, funksioni në shërbim të turizmit e kanë shndërruar në një vepër të papërsëritshme në vend dhe Ballkan.

  • Mosha Rrapi i Libohovës ka një moshë mbi 520-vjeçare. Kjo shifër nuk del vetëm në bazë të gojëdhënave të banorëve të zonës, por është vërtetuar shkencërisht nga specialistët tanë dhe ata të huaj në vitin 1986, gjatë një ekspedite shkencore në këtë vend.
  • Kurora Mbi 320 metër katror zë kurora e rrapit shekullor të Libohovës. Banorët e zonës shprehen se kjo vepër e natyrës ndër vite e shekuj është bërë objekt diskutimesh, si një qenie e gjallë e lindur nga tre komponentë kryesorë: uji, ajri dhe drita