Pengmarrja në fshatin Suhë, 30-vjeçari shpëton duke u hedhur nga makina
Një 30-vjeçar me inicialet XH.R, është marrë peng nga dy persona, por ka mundur që të shpëtojë duke u hedhur nga makina me të cilën autorët e krimit po e transportonin. Ngjarja ka ndodhur para tre ditesh në fshatin Suhë të Gjirokastrës.
Policia ka arrestuar si të dyshuar 28-vjeçarin Tahir Brahimi dhe punon për kapjen e shtetasit U.B, 31 vjeç, që të dy banues në Lazarat. Pengmarrësit i kanë bërë prite 30 -vjeçarit në fshatin Suhë dhe kanë ushtruar dhunë mbi të, duke e qëlluar me grushte.
Më forcë e kanë futur në mjetin “Mitsubishi” dhe kur kanë mbërritur në Kordhocë, i dëmtuari ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së pengmarrësve. Ai është hedhur nga makina, duke vënë jetën në rrezik.
Më pas ka ikur me shpejtësi dhe falë errësirës ka mundur që të shpëtojë. Mjaft i trembur ai ka shkuar në Komisariatin e Gjirokastrës, për të denoncuar pengmarrjen. Pas marrjes së kallëzimit, efektivët kanë arrestuar në flagrancë Brahimin dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij. Ndërkaq policia ka nisur hetimet për motivin e pengmarrjes./Shqip