Taksë e re për ata që kanë dy shtëpi
Ndërtuesit apo ata që zotërojnë një banesë të dytë do të duhet të paguajnë një tarifë legalizimi prej 8 mijë lekësh për çdo kat të objektit. Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare dhe që tashmë ka marrë fuqi ligjore parashikon mënyrën sesi do të detajohen të ardhurat nga procesi i legalizimeve dhe se si do të përdoren ato. Kjo nënkupton se të gjithë ata që duan të legalizojnë një banesë të dytë do të duhet të paguajnë këtë tarifë për çdo kat të banesës. Por më shumë sesa ata që zotërojnë një banesë të dytë, ky vendim prek kryesisht ndërtuesit që kanë të regjistruar në emrin e tyre një numër të lartë apartamentesh të pashitura. Ndërkohë, vendimi përcakton gjithashtu edhe mënyrën e mbledhjes dhe përdorimit të të ardhurave nga Agjencia e Legalizimeve. Të ardhurat që do të mblidhen nga pagesa e tarifës së shërbimit 8 mijë lekë do t’i shtohet fondit prej 30 për qind të të ardhurave nga procesi që do të përdoren për përballimin e shpenzimeve të evidentimit në terren dhe të hartimit të dokumentacionit, për ndërtimet pa leje.
Në ligj thuhet se të ardhurat për përballimin e shpenzimeve të evidentimit në terren dhe të hartimit të dokumentacionit, për ndërtimet pa leje, të përbëhen nga 30 për qind e fondit të arkëtuar nga pagesa e parcelës ndërtimore dhe nga të ardhurat e arkëtuara nga pagesa e tarifës së shërbimit, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik dhe të përzier, si dhe nga pagesa e penaliteteve, në masën e vlerësuar nga ALUIZNI, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për ndërtimet pa leje, me funksion të përzier, subjekti të paguajë tarifë shërbimi, në vlerën e 8 mijë lekëve, vetëm për katin e shfrytëzuar për veprimtari social- ekonomike. Pagesa e tarifës së shërbimit të kryhet brenda 45 ditëve, nga data e njoftimit me shkrim të ALUIZNI-t.
Si do të funksionojnë taksat
Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, do të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar. Për zbatimin e kësaj pike, drejtoritë e ALUIZNI-t, kanë vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi. Po kështu, për llogaritjen e penalitetit të legalizimit të shtesave të subjektit ndërtues, sipas ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, si çmim minimal fiskal të përdoret ai i parashikuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, për vitin 2014”. Kjo do të thotë që çmimi fiskal për këto objekte do të jetë sipas çmimit të vendosur nga qeveria për secilin qytet. Për ndërtimet në zonat ku nuk ka çmim të përcaktuar, si dhe për ndërtimet në komuna, përllogaritja të kryhet në bazë të mesatares aritmetike të çmimeve në zonat kufitare. /Shekulli