Çmimi i i ri i energjisë, 9.5 lekë për familjarët, më shtrenjtë për biznesin e vogël e të madh
Enti Rregullator i Energjisë publikoi këtë të premte vendimin që unifikon çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, duke hequr fashën mbrojtëse prej 300 kW/orë.
“Vendimi i Entit Rregullator përcakton që çmimi i konsumatorit familjar, duke filluar nga 1 janari i vitit 2015 do të jetë 9.5 lekë për kilovat”, njoftoi kreu i ERE-s, Petrit Ahmeti.
Por krahas çmimit të ri, të njëjtë për familjarët prej 9.5 lekë kw/h, kreu ERE-s Petrit Ahmeti thotë se po i unifikuar do të jetë edhe cmimi që do të paguajnë bizneset, bazuar në nivelin e tensionit ku janë lidhur. E pandryshuar mbetet vetëm tarifa për subjektet furra buke dhe prodhim mielli, duke mbajtur në këtë nivel, siç shprehet kreu i Entit, shpenzimet e konsumatorëve familjarë për ushqimet bazë.
“Konsumatorët e lidhur në linjën 35 kilovolt, 9.5 lek për kilovat/orë, konsumatorët 20, 10, 6 kilovolt çmimi do të jetë 11 lek për kilovat/orë. Furrat buke dhe prodhim mielli të lidhura në 20, 10 dhe 6 kilovolt, çmimi do të jetë 7.1 lek. Konsumatorët në 0.4 kilovolt, 14 lek për kilovat/orë, furra buke dhe prodhim mielli të lidhura në tension të ulët, 7.5 lek për kilovat/orë”, shpjegoi kreu i ERE-s, Petrit Ahmeti.
Po në nivelin e 9.5 lekëve është edhe tarifa për konsumin e energjisë elektrike në ambientet e përbashkëta. Çmimet dhe tarifat e reja hyjnë në fuqi në datën 1 janar dhe mbeten në fuqi deri në 31 dhjetor 2015. /TCH