Ndryshon sërish Matura Shtetërore, ja rregullat e reja

matura2014-provimetNdryshon sërish pro cesi i Maturës Sh tetërore. Për vitin 2015 matura do të ndahet në dy pjesë: Matura Shtetërore, ku përfshihen gjimnazet e përgjithshme, dhe Matura Shtetërore Profesionale, e cila është për shkollat profesionale. Ky ndryshim ka ardhur për shkak të ndryshimit që i është bërë Ligjit të Arsimit dhe Formimit Profesional dhe kalimit të tij në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Ndryshimet që do i bëhen procesit të maturës janë sqaruar për “Gazeta Shqiptare” nga zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj. Sipas Malajt, në fund të muajit dhjetor është miratuar udhëzimi për Maturën Shtetërore, ndërsa për Maturën Shtetërore Profesionale është ngritur një grup i përbashkët pune për të përpiluar udhëzimin përfundimtar, i cili kryesohet nga zv.ministrja e Mirëqenies Sociale, Gentiana Sula. Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj ka sqaruar se në thelb procesi i maturës do të vijojë të jetë i njëjtë, pasi edhe për këtë vit maturantët do t’u nënshtrohen 5 provimeve, ku tri janë të detyruara dhe dy me zgjedhje.

NDRYSHIMET
Këtë vit, rreth 45 mijë maturantë do të përballen sërish me ndryshime në procesin e maturës, i cili tashmë vit pas viti po ndryshon, por ky pritet të jetë viti më i vështirë që nga 2006-ta për maturantët, pasi ndryshimet ende nuk janë publikuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Edhe pse jemi në fillim të muajit janar, MAS ende nuk e ka publikuar udhëzimin për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore. Sipas zv.ministres së Arsimit, Nora Malaj, matura e këtij viti do ndahet në dy pjesë. “Duke qenë se ka ndryshuar Ligji i Arsimit Profesional, dhe tashmë ka hyrë në fuqi, Matura Shtetërore do ndahet në dy pjesë: në Maturë shtetërore dhe Maturë shtetërore Profesionale. Për Maturën Shtetërore, që është për gjimnazet e përgjithshme, në fund të muajit dhjetor është miratuar udhëzimi, ndërsa për Maturën Profesionale tashmë është ngritur një grup pune në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, ku ka kaluar në varësi arsimi profesional dhe MAS. Për maturantët e gjimnazeve normale, pra të përgjithshme, nuk do të ketë ndryshime specifike, pasi formula do jetë e njëjtë si vitin e shkuar. Ndërsa për maturantët e gjimnazeve profesionale, pesha kryesore do jepet për zhvillimet profesionale, por pa humbur shansin dhe të drejtën për të ndjekur një fakultet”, – sqaroi Malaj.

Për sa u përket gjuhës së huaj me detyrim dhe peshës së notës mesatare, Malaj ka sqaruar se: “Edhe këtë vit, gjuha e huaj me detyrim nuk do të llogaritet në formulën e Maturës Shtetërore, pasi ende një pjesë e maturantëve nuk janë gati, dhe nuk dëshirojmë të penalizojmë askënd. Ndërsa pesha e notës mesatare do vijojë të jetë si vitin e shkuar, pra do përbëjë 26% të peshës totale të pikëve, po ashtu edhe pikët minimale, ‘cat-off’, do mbeten si vitin e shkuar”. Në Maturën 2014, maturanti nuk quhej kalues nëse në provime merrte më pak se 20% të pikëve të testit, pra në provimet me detyrim, duhej të merrte minimalisht 10 pikë dhe në ato me zgjedhje kalonte nëse arrinte të merrte 8 pikë. Këto pikë, sipas zv.ministres Malaj, do jenë të vlefshme dhe për Maturën 2015. Një risi tjetër e cila po shikohet si mundësi për t’u aplikuar këtë vit është që provimet e maturës të bëhen në kompjuter. “Po shikohet si mundësi që provimet të bëhen të informatizuara, pra në kompjuter, si bëhen provimet e shtetit në AKP, por për këtë pjesë duhet ende të flitet, pasi numri i maturantëve është shumë i madh dhe nuk e dimë nëse do ia arrijmë këtij qëllimi”, – përfundoi Malaj./GSH