Bimët medicinale, “thesari ynë” (Video)
Jo të gjithë e dinë, por Shqipëria mbulon 50% të tregut amerikan me bimë medicinale. Xhavit Hysenaj ka afro 12 vite që merret me prodhimin dhe më pas eksportin e këtyre bimëve, kryesisht sherebelës. Ai tregon se në Shqipëri ka qenë e vështirë të ndërtoje këtë biznes, pasi edhe mbështetja ka qenë e vogël, ndërkohë që nevojat për investime në teknologji kapin vlerat e miliona dollarëve.
Tashmë fokusi i ri i qeverisë shqiptare është zhvillimi i ekonomisë përmes bujqësisë, dhe në veçanti bimëve medicinale.
Kjo është këshilluar nga profesorë e studentë të Harvardit, duke qenë se edhe tregu për këtë bimë është i sigurtë, raporton Vizion Plus.
Xhaviti thotë se me kalimin e viteve ai rriti cilësinë, dhe ndërkaq ka përfituar edhe një ndihmë nga fondi i BE-së për të investuar në teknologji e për të rritur prodhimin. Fermerët që bëjnë biznes në fushën e bimëve medicinave kërkojnë nga qeveria që të rishikojë taksën e pasurisë, pasi mijra dollarë në vit shkojnë vetëm për të paguar këtë taksë për shkak të sasisë së madhe të tokës që nevojitet për kultivimin e këtyre bimëve.