Historia e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës
Festivali Folklorik Kombëtar që do të zhvillohet në muajin prill është edicioni i nëntë i këtij eventi të rëndësishëm. Festivali Folklorik Kombëtar i parë është zhvilluar në vitin 1968, në kalanë e Gjirokastrës dhe në të morën pjesë të gjitha rrethet e vendit. Edicioni i dytë i festivalit u realizua pas pesë vjetësh, përkatësisht në vitin 1973, për të vijuar më pas në vitet 1978, 1983, 1988, po në kalanë e Gjirokastrës.
Në festivalin e vitit 1973, në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 artistë. Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 mbartës interpretuan gjatë ditëve të festivalit. Në vitin 1995, Festivali Folklorik i Gjirokastrës u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës.
Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij, çmimet janë ndarë për bartësit dhe interpretuesit e folklorit. Në vitin 2004, Festivali Folklorik u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator deri më 5 tetor. Për herë të fundit është zhvilluar në vitin 2009 në Gjirokastër./shqip