Gjermania i përgjigjet Greqisë: Zero mundësi që t’ju paguajmë dëmet e Luftës së Dytë Botërore
“Propabiliteti që Gjermania t’i bëjë pagesa Greqisë për reparacionet e Luftës së Dytë Botërore është zero”. Kështu ka deklaruar sot Sigmar Gabriel, zëvendëskancelar dhe ministër i Ekonomisë në Gjermani. Sipas tij, një traktat i nënshkruar 25 vjet më parë i ka mbyllur të gjitha pretendimet për këtë çështje. Reagimi i zyrtarit të lartë gjerman erdhi pas kërkesës që kryeministri grek Alexis Tsipras bëri në Kuvend të dielën që shkoi.
Tsipras tha se Greqia do të kërkojë nga Gjermania dëmshpërblimet e luftës, ndërsa një pjesë e madhe e shoqërisë greke fajëson kancelaren Angela Merkel për krizën ku është zhytur vendi qysh prej vitit 2009. Gjermania i ka paguar Greqisë në vitin 1960 rreth 115 milionë marka si dëmshpërblim për pushtimin nazist, por pala greke pretendon se kjo ishte vetëm një pagesë fillestare dhe se pjesa tjetër e pagesës do të diskutohej pas vitit 1990 kur u bë edhe bashkimi i dy Gjermanive.