A do të kërkojë Putin në Beograd ndarjen e Kosovës?
Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin do të mbërrijë në Beograd më 16 tetor për të marrë pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit të çlirimit të Beogradit. Pritshmëritë e serbëve nga Moska vazhdojnë të mbeten të mëdha, kryesisht në çështjen e Kosovës, megjithëse Kremlini kohët e fundit ka filluar të lëkundet nga pozicioni mohues i shtetit kosovar. Disa muaj më parë, kur Krimea shpalli pavarësinë nga Ukraina, Putin do të godiste fort ndjenjat e vëllezërve ortodoksë serbë kur hoqi paralele midis Kosovës dhe Krimesë. “Njerëzit në Kosovë lejohen të votojnë, atëherë pse duhet t’ua mohojmë këtë njerëzve të Krimesë?”, – ishte deklarata e Putin, e cila menjëherë u transmetua si një ndryshim i politikës ruse ndaj Kosovës. Por nuk ishte vetëm presidenti Putin ai që u mundua të hiqte paralele midis Krimesë dhe Kosovës, edhe vetë shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, pas një takimi që zhvilloi me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, u shpreh se “Rusia do të respektojë vullnetin e popullit të Krimesë”, duke shtuar se në rast se Kosova është trajtuar nga faktori ndërkombëtar si një “rast special” edhe Krimea duhet të trajtohet në të njëjtën mënyrë.
Këto deklarata tronditën fort diplomacinë në Beograd, e cila nuk nguroi të shprehë habinë dhe pakënaqësinë e saj për qëndrimet e Moskës. Gjithsesi, Kremlini reagoi duke konfirmuar edhe njëherë tjetër mbështetjen ndaj Serbisë. Ambasadori serb në Beograd, Aleksandër Çepurin qetësoi serbët kur deklaroi se, pavarësisht këtyre krahasimeve, Rusia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj kundrejt shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, bashkimi i Krimesë me Rusinë e ka vendosur vetë Kremlinin në një pozicion të vështirë përpara faktorit ndërkombëtar dhe mesa duket, shfajësimi në këtë rast do të jetë Kosova. Vetëm një javë para se Putin të udhëtojë drejt Serbisë, diplomati rus në Prishtinë, Andrey Y. Shugurov ka riaktivizuar tezën e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një tezë mjaft e pëlqyer dhe e reklamuar nga ministri aktual i Jashtëm serb, Ivica Daciç. Duke u shprehur i bindur se minoritetet nuk kanë të ardhme në Kosovë, Shugurov shikon si zgjidhje të vetme shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve. “Mendoj se ky do të ishte opsioni më i arsyeshëm”, – tha diplomati rus duke rikthyer në vëmendjen e opinionit ndërkombëtar një tezë e cila është përdorur edhe më parë nga Rusia. Kundërshtarët e kësaj teze janë të shumtë në Kosovë, por edhe bashkësia ndërkombëtare e ka hedhur poshtë atë duke e konsideruar si një veprim të rrezikshëm, i cili do të hapte në Ballkan “Kutinë e Pandorës”. Megjithatë, e thënë kjo nga goja e përfaqësuesit më të lartë rus në Kosovë, tregon se pas ngjarjeve në Ukrainë, Rusia do të luajë një tjetër lojë me Kosovën. Shugurov e paraqiti këtë tezë si një ide të tijën personale, ndonëse dihet shumë mirë se diplomacia nuk funksionon me mendime personale të diplomatëve të ndryshëm, por me një linjë të qartë e të mirëpërcaktuar.
Në rast se Putin në Beograd rikonfirmon deklaratën e diplomatit të tij në Prishtinë, ai në mënyrë jo të drejtpërdrejtë do të legjitimonte edhe veprimin e Krimesë për t’iu bashkuar Rusisë. Megjithatë, në Ballkan nuk është vetëm Kosova dhe Serbia që do të prekeshin nga këto ndryshime. Republika Serpska në Bosnje-Hercegovinë apo shqiptarët në Maqedoni do të riaktivizonin kërkesat e tyre për ndarje nga shtetet ku ndodhen dhe do të kërkonin bashkimin e tyre me shtetet amë. Qeveria në Kosovë dhe ajo në Shqipëri, nuk do të ishin shumë komode përballë këtij propozimi, pasi ai është vendimi që shqiptarët në Luginën e Preshevës presin prej më shumë se 15 vitesh. Edhe në opinionin shqiptar “veriu” konsiderohet si një territor i humbur edhe se Kosova nuk e ka fuqinë të shtrijë autoritetin e saj në këtë pjesë, një shkëputje e saj nuk do shihej si një tragjedi. Gjithsesi, për t’u kthyer tek Rusia, interesi momental i saj nuk është ajo se çfarë do të ndodhë në Ballkan, por gjetja një e mënyre për të justifikuar agresionin “e heshtur” ndaj Ukrainës. Kërkesa për ndarjen e veriut të Kosovës dhe bashkimit të kësaj të fundit me Luginën e Preshevës është njëra prej tezave, të cilat Moska po e teston jo vetëm për të parë reagimin e dy shteteve, por edhe të Europës.