Aksidenti ne Sofratike, nderron jete 40-vjeçarja nga Libohova
Një 40-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e përplasjes nga një automjet. Aksidenti i rëndë që i mori jetën shtetases me iniciale M.B nga Libohova, ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Kakavijë- Gjirokastër në vendin e quajtur Sofratikë.
Sipas informacioneve që bëhen të ditura nga policia lokale 40-vjeçarja është goditur nga automjeti tip Opel me targa greke YNP që drejtohej nga shtetasi Grigor Magllara, 51 vjeç nga fshati Vrisera, ndërkohë që viktima ka tentuar të kalojë nga njëri krah i rrugës, në tjetrin duke i ndërprerë rrugën automjetit.
Shtetesja M.B, është transportuar për në spitalin rajonal Gjirokastër e më pas me helikopter për në Tiranë në gjendje të rëndë, por nuk ka mundur t’i mbijetojë aksidentit të rëndë.
Drejtuesi i automjetit ka qëndruar në vendngjarje dhe me pas është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Policia rrugore dhe grupi hetimor po kryejnë veprimet në vendngjarje. Nga veprimet e para rezulton se shkaku paraprak i aksidentit është ndërprerja e rrugës nga këmbësori dhe shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesi i automjetit.
Ky është aksidenti i parë me pasojë vdekjen gjatë 2014 në Gjirokastër./Ora News