Akuzat për karburantin, Luiza Mandi i përgjigjet PD-së: Shpifja dhe përbaltja e vetmja alternativë që ju ka mbetur
Kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi ka reaguar përmes faqes së saj në Facebook, lidhur me disa akuza të Partisë Demokratike për abuzim me sasinë e karburantit që është parashikuar të përdoret gjatë vitit 2018 nga mjetet e bashkisë. PD pretendon se sasia e karburantit është e pajustifikuar, ndërsa kryebashkiakja Mandi në reagimin e saj thotë çdo gjë është përllogaritur sipas fuqisë motorike të mjeteve dhe orëve të punës që do të kryejnë. Nga ana tjetër një pjesë e punimeve që nuk janë realizuar gjatë vitit 2017, do të mbarten në vitin e ri. Rrjedhimisht sasia e planifikuar e karburantit për vitin e kaluar do të transferohet në vitin e ri. Më poshtë deklarata e plotë e kryebashkiakes Luiza Mandi.
Pas mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak, jemi njohur me një reagim të mbushur plot me disa të pavërteta nga Partia Demokratike Libohovë, e cila pretendon se ka abuzim me buxhetin e planifikuar për sasinë e karburantit që do të përdoret nga mjetet e Bashkisë në vitin 2018.
Së pari sqarojmë se bëhet fjalë për një projektvendim të paraqitur në Këshillin Bashkiak për t’u diskutuar.
Së dyti, sasia e karburantit të planifikuar për vitin 2018 është e bazuar në orët e punës dhe fuqinë motorike të çdo mjeti që ka në dispozicion Bashkia Libohovë, duke filluar nga mjetet me të vogla deri tek ato më të rëndat si kamioni apo skrepi. Ato që PD i quan ‘mjete fantazmë’ janë asete në inventarin e Bashkisë Libohovë dhe lehetësisht të verifikueshme.
Së treti, një pjesë e konsiderueshme e sasisë së karburantit të planifikuar për vitin e ardhshëm, vjen për shkak të punëve të pa përfunduara gjatë vitit që po lemë pas, siç është pastrimi i disa kanaleve ujitëse dhe kulluese, ndërhyrje që do të bëhen gjatë vitit 2018.
Së katërti, faturimet për shpenzime karburanti kryhen pas çdo pune apo shërbimi të realizuar prej automjeteve, që do të thotë se destinacioni i tyre është i qartë dhe siç e parashikon ligji.
Në fund, sqarojmë edhe të pavërtetën tjetër se gjoja mbledhja u shty për shkak të ‘mungesës së një raporti të hollësishëm për realizimin e të ardhurave për vitin 2017’. E vërteta është se mbledhja u shty pasi një pjesë e këshilltarëve nuk ishin dakord me rendin e ditës, ndonëse e kishin miratuar vetë një muaj më parë. Në mbledhjen e sotme disa këshilltarë kërkonin informacion për çështje jashtë rendit të ditës, për të cilat administrata e Bashkisë nuk kishte dijeni më parë, në mënyrë që të vinte e përgatitur.
Parimi ‘shpif shpif se diçka do të ngelet në fund’, është i njohur në vendin tonë, por nuk është kjo mënyra të kontribuojmë të gjithë së bashku në të mirë të Libohovës.
Bashkia Libohovë mbetet e përkushtuar të çojë përpara projektet dhe investimet që kanë nisur, si dhe garanton të gjithë qytetarët se përbaltja e punës tonë vjen prej atyre që sot s’kanë asnjë alternativë. Më parë kishin plot tetë vite në dispozicion dhe dështuan me sukses.