Ali Pashë Tepelena, prona dhe burra për femrat e haremit të tij
Si e nxori nga haremi veziri i Janinës, Hajdhon, të bijën e Duka Nikës nga Karjani dhe si e martoi me hyzmeqarin e vet labovit, Miksi Aleksiu. Dhuratat për çiftin dhe dokumentet në greqisht. Si i trajtonte femrat Ali Pasha. Dëshmitë sipas miqve të oborrit të tij.
Ai nuk ishte thjesht pashai apo “Luani i Janinës”. Ali Pashë Tepelena ishte një njeri i dhënë pas qejfeve, që në haremin e tij mbante shumë gra dhe djem të rinj. Herë-herë ato i blinte me para, herë ia sillnin “dhuratë” e herë të tjera i rrëmbente. Sipas akademikut grek Spiro Mela dhe librit të tij “Luani i Epirit – Ali Pasha dhe Suli”, Ali Pasha shfaqet “epshor si majmun” dhe në haremin e tij kishte më shumë se 300 gra. Megjithatë, se si arrinte t’i bënte këto vajza e gra pjesë të haremit, është një çështje më vete që ia vlen për t’u parë, ashtu si dhe trajtimi që u bënte atyre. Më poshtë do të sjellim dy dokumente të firmosura nga Ali Pasha, ku ai marton njërën nga konkubinat e haremit të tij me hyzmeqarin e vet labovit. Dokumentet e sjella janë pjesë e koleksionit të dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror dhe ndodhen në Fondin “Pashallëku i Janinës” (nr. 4), i emërtuar edhe si “Ali Pashë Tepelena”. Dokumentet në vetvete nuk mbartin ndonjë informacion mbi historikun e tyre, por janë interesante për përmbajtjen.
Ali Pasha shfaqet si një “zotni shpirtgjerë”, i cili i dhuron çiftit të ri goxha pasuri. Me sa duket, Hajdho (konkubina në fjalë e haremit të Ali Pashës) i ka shërbyer me devotshmëri Ali Pashës dhe ai, i kënaqur (me sa duket edhe “i ngopur” nga ajo), i ka dhënë të drejtën për të dalë nga haremi ku bënte pjesë.
Në fillim duket se “janë rregulluar punët” për martesën me dhëndrin e ardhshëm, labovitin Miksi Aleksiu, të cilit Ali Pasha i jep për grua konkubinën e vet.
“Unë Vezir Ali Pasha i jap këtë senet bujullurdi Miksi Aleksiut, labovitit, hyzmeqarit tim, dhe e futa dhëndër me të bijën e Duka Nikës nga Karjani. Dhe ja ku i jap nga çifligu im shtëpitë që i kam ndërtuar vetë, me gjithë bahçe, nga pas dhe nga përpara shtëpisë, po ashtu dhe një arë.”, shkruan Ali Pasha në dokumentin, që mban datën 17 maj 1818 në Janinë.
Të njëjtën gjë ai shkruan edhe në dokumentin që mban datën 2 korrik 1818, ku “shpërblen” ish-konkubinën e tij, pjesë e dikurshme të haremit.
“I dhashë këtë senet bujullurdi Hajdhos, të bijës së Duka Nikës nga Karjani, se më ka bërë hyzmet në haremin tim, dhe tani e nxora [nga haremi] dhe e martova. Ja ku i jap si prikë gjysmën e arës së Nisi Papa Kostës nga Karjani, gjysmë e cila është gjashtëmbëdhjetë hektarë, dhe vreshtin e të atit të saj, Dukës, që ndodhet poshtë fshatit, prej një hektari e gjysmë, të gjitha bashkë shtatëmbëdhjetë e gjysmë hektarë, të cilat ia dhashë që t’i ketë mylk ajo vetë, bijtë e saj dhe bijtë e bijve të saj edhe pas vdekjes sime”, vëren Ali Pasha, në dokumentin që mban vulën dhe firmën e tij, ndërsa thekson në të dy rastet se kjo pasuri u takon të emrave të përmendur edhe pas vdekjes së tij. Gjuha e shkrimit është greqishtja, por imiton formulimin e dokumenteve osmane, si dhe paraqet drejtshkrim, fjalor dhe sintaksë jo në përputhje me rregullat e greqishtes së kohës, tipar ky i zakontë për dokumentet e kohës.
Duhet theksuar se harem në turqisht do të thotë “shtëpia e lumturisë”. Ajo ishte një strehëz private e grave dhe fëmijëve të sulltanit, pashallarëve apo vezirëve, që ishte e populluar me 200–1200 banorë. Shumica e grave të haremit në Perandorinë Otomane ishin kirkiziane, të krishtera nga Gjeorgjia, Ballkani dhe ishujt e Egjeut. Gratë bëheshin pjesë e haremit fillimisht si konkubina, por pak prej tyre avanconin, duke u bërë “të preferuarat”. Nëse ndonjë prej tyre i jepte sulltanit fëmijë, ajo mund të bëhej edhe një prej gjashtë grave zyrtare të tij.
Nga libri “Luani i Epirit”
…Aliu i vishte “çuprat” e tij mjaft pasur dhe i trajtonte në gjithë madhështinë dhe traditën aziate. Kishte gra profesioniste për t’u mësuar këngë e valle që dhe ato të kishin mundësinë të kalonin kohën me kënaqësi. Nga bakshishet që u falte, krijonin dhe ato një farë kapitali, për prikën (pajën) e tyre. Sepse kur i mërziteshin, kishte ndërmend t’i martonte. Kur nuk i jipte në të liruarit nga haremi mashkullor, ia ngarkonte në shpinë cilitdo. Dëshmi e një vlerësimi të lartë, shkruan mjeku anglez, Holland, quhet kur Aliu nga haremi i tij shkëpuste një nga bukuroshet e haremit dhe ia jipte atij që preferonte t’i bënte këtë privilegj apo nder…
Janë të panumurta rastet kur Aliu u imponohej t’u jepte vartësve të tij me zor, “çuprat” e tij. “I kishin shpurë, – shkruan majori anglez Lik, – një fshatare të re. Iu mërzit për pak ditë dhe vendosi ta martonte me një zotni të mirë, Pahumin. Ai u informua herët për “nderin” që donte t’i bënte dhe i shoqëruar nga një i afërt u përpoq të largohej fshehur për në Korfuz. Njerëzit e Tahir Abazit i kapën në bregun ku bënin pazar anijet dhe i kthyen në Janinë që të dy, sepse nuk dinin se cili ishte dhëndëri. Turturi u fut në mes dhe e shpëtoi Pahumin nga kjo dasmë, duke ia lënë në derë të dytit.
Njërën prej çuprave të tij, Katerina Fillu, e simpatizonte shumë Aliu dhe donte t’i jipte një burrë të zot. Thërret hoxhobashin Jorgji Dhuruti nga Kallaritet dhe i imponon ta merrte nuse për të birin, Janin, i cili mungonte në Itali. Dhe meqenëse njeriu përpiqej t’i shpëtonte këtij ngërçi, i dërgoi bujurdi të shkruar. I riu u detyrua të mbetej për një kohë të gjatë në Itali, deri sa të prishej “banesa e paligjshme” që i shtronte veziri.
Dokumente të nxjerra nga sekretaria e vezirit Ali Pasha
Dokumentet e mëposhtme janë pjesë e koleksionit të dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror dhe ndodhen në Fondin “Pashallëku i Janinës” (nr. 4), i emërtuar edhe si “Ali Pashë Tepelena”, dosja 7, fletët 8 dhe 9. Dokumentet në vetvete nuk mbartin ndonjë informacion mbi historikun e tyre, kush i ka zotëruar më parë (veç personave të përmendur në dokument) dhe si kanë mbërritur në AQSh. Teksti është shkruar në letër, me bojë të zezë. Gjuha e shkrimit është greqishtja, por imiton formulimin e dokumenteve osmane, si dhe paraqet drejtshkrim, fjalor dhe sintaksë jo në përputhje me rregullat e greqishtes së kohës, tipar ky i zakontë për dokumentet e kohës. Materialet e shkrimit (letra dhe boja) dhe mënyra si janë ndërtuar dokumentet, tregojnë se kemi të bëjmë me dokumente autentike të kohës, të nxjerra nga sekretaria e vezirit Ali Pasha.Unë, Vezir Ali Pasha, i jap këtë senet bujullurdi Miksi Aleksiut, labovitit, hyzmeqarit tim, dhe e futa dhëndër me të bijën e Duka Nikës nga Karjani. Dhe ja ku i jap nga çifligu im shtëpitë që i kam ndërtuar vetë, me gjithë bahçe, nga pas dhe nga përpara shtëpisë, po ashtu dhe një arë. Të gjitha këto ia jap që t’i ketë mylk dhe pronë, ai vetë, bijtë e tij dhe bijtë e bijve të tij edhe pas vdekjes sime, dhe asnjë nga bijtë apo nipërit e mi të mos e shqetësojë, sepse ia kam dhënë vetë si mylk dhe pronë derisa të jetë kjo botë. Ia dhashë me dëshirën time dhe, po ashtu, e shkarkoj nga çdo taksë, angari dhe konak. Në e shqetësoftë ndonjëri nga bijtë dhe nipërit e mi pas vdekjes sime, të ketë mallkimin tim dhe të Pejgamberit dhe prokopi kurrë mos paftë. Prandaj i dhashë në duar Miksit këtë senet bujullurdi, si vërtetim. U vendos [firmë] 17 maj 1818. Janinë.
Fondi: Pashallëku i Janinës (Ali Pashë Tepelena, 4), Dosja 7, fleta 8r.
Unë Vezir Ali Pasha
i dhashë këtë senet bujullurdi Hajdhos, të bijës së Duka Nikës nga Karjani, se më ka bërë hyzmet në haremin tim, dhe tani e nxora [nga haremi] dhe e martova. Ja ku i jap si prikë gjysmën e arës së Nisi Papa Kostës nga Karjani, gjysmë e cila është gjashtëmbëdhjetë hektarë, dhe vreshtin e të atit të saj, Dukës, që ndodhet poshtë fshatit, prej një hektari e gjysmë, të gjitha bashkë shtatëmbëdhjetë e gjysmë hektarë, të cilat ia dhashë që t’i ketë mylk ajo vetë, bijtë e saj dhe bijtë e bijve të saj edhe pas vdekjes sime. Asnjëri prej bijve të mi apo prej nipërve të mi s’ka për të kërkuar të drejta mbi këto shtatëmbëdhjetë e gjysmë hektarë, por [Hajdhoja] t’i ketë mylk dhe pronë të sajat deri në fund të botës, sepse ia dhashë me dëshirën time. Cilido nga bijtë apo nipërit e mi që e shqetëson për këtë punë pas vdekjes sime, le të ketë mallkimin tim dhe të Pejgamberit dhe prokopi kurrë mos paftë. Prandaj i dhashë në dorë të sipërpërmendurës këtë senet bujullurdi për vërtetim. U vendos [firmë]. 2 korrik 1818. Janinë./Panorama