Anila Denaj takon në Gjirokastër blegtorët e jugut: Nuk mund të ndërhyjmë në çmimin e qumështit
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, mbërriti sot në Gjirokastër për një taki me blegtorë të jugut. Bashkë me ministren Mirela Kumbaro, patën një takim të zgjeruar me blegtorë të Gjirokastrës, Dropullit e Delvinës. Në reagimin e saj pas takimit, ministrja Denaj tha se nuk ka asnjë mënyrë për të ndërhyrë në çmimin e qumështit, që është edhe kërkesa kryesore e blegtorëve.
“Theksova se institucionet nuk mund të ndërhyjë në çmimin e produktit dhe zgjidhja duhet të vijë me bashkëpunimin mes palëve dhe formalizimin e marrëdhënies mes pikave të grumbullimit dhe blegtorëve, në mënyrë që kjo marrëdhënie të jetë e favorshme për të gjithë. Politikat tona shkojnë drejt nxitjes së bashkimit të blegtorëve, interesave të tyre, për një fitim më të lartë dhe produkt më cilësor. Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim të ngushtë edhe me pushtetin vendor, do të vijojë të jetë mbështetje për blegtorinë, duke rritur investimet në infrastrukturën e ujitje-kullimit, fuqizuar sigurinë ushqimore dhe garantuar zgjidhje për kullotat“, përfundon reagimi i ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj.
Blegtorët zhvilluan një tjetër protestë përpara takimit, si dhe insistuan që të pranishëm në takim të ishin edhe mediat. Ata kërkojnë një çmim dysheme për qumështin, rritje të subvencioneve, ndarje të drejtë të kullotave dhe investime në veprat ujore (lerat e bagëtive) në zonat malore. Protesta e tyre lindi pasi grumbulluesit e qumëshit ulën çmimin nga 170 lekë/litri në 120 lekë. Lëvizja ngjan të jetë një marrëveshje e fshehur mes tyre për të fiksuar çmimin e qumështit, ndërkohë që çmimi i djathit dhe produkteve të tjera në tregon vijojnë të jenë të larta.