Arkivi i Gjirokastrës ‘fluturon’ në Lushnje, PD: Ndalni marrëzinë sa nuk është vonë
Drejtoria e Arkivit në Gjirokastër do të shkrihet. Kështu thotë Partia Demokratike, e cila përmes një deklarate denoncon këtë lëvizje me urdhër të kryeministrit Edi Rama. I gjithë fondi i dokumenteve arkivore do të zhvendoset drejt Lushnjës.
“Me një vendim absurd Qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama i kanë dhënë të drejtën drejtorit të përgjithshëm të arkivit qëndror shqiptar z. Ardit Bido që të autorizojë mbylljen e disa arkivave rajonalë dhe grumbullimin e tyre në disa magazina të përqëndruara. Pas kësaj, çdo qytetar i Qarkut Gjirokastër do ti duhet të udhëtojë qindra kilometra për të marrë një dokument në arkiv. Të njëjtin fat do të kenë edhe studiuesit apo pedagogët e Universitetit “Eqrem Çabej” që janë të interesuar për hulumtimin e dokumetave të ndryshëm arkivorë”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Në vijim të deklaratës, PD thotë se qeveria kërkon që ta kthejë Gjirokastrën në një periferi të parëndësishme administrative, duke i humbur përfundimisht asaj një nga karakteristikat e saj historike; të qenurit një Qendër Administrative, Spitalore, Universitare, Ekonomike, Kulturore dhe Tregtare Rajonale.
“Kjo nuk është rastësi! Kjo është strategji idiote e Kryeministrit Rama”, thuhet në deklaratën e PD Gjirokastër.