Arrestohet një person në Kakavijë, dyshohet se trafikonte vepra arti
Një person është arrestuar nga policia kufitare në Kakavijë, pasi është konstatuar se po tentonte të hynte në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, përmes kufirit jeshil me Greqinë. Pasi është ndaluar nga policia, u zbulua se ai kishte me vete sende antike prej metali, argjendi e bronxi. I arrestuari është 31-vjeçari Petrit.A, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik të bërë këtij shtetasi, shërbimet e Policisë Kufitare, kanë konstatuar se në çantën e krahut kishte sende të ndryshme antike prej metali, argjendi e bronxi.
Menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare kanë njoftuar Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, të cilët në përfundim të veprimeve të para hetimore kanë bërë arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua çanta me sendet e ndryshme antike. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit” dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.