Atentatet me tritol në Lazarat, arrestohet një prej 5 të shpallurve në kërkim
Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga mbrëmjen e sotme një nga 5 personat e shpallur në kërkim për sulm me armë ndaj efektivëve të policisë, si dhe shpërthime me tritol. Burime nga policia bëjnë me dije se kanë arrestuar shtetasin Thimjo Ceka. Operacioni për kapjen e tij u kye nga sektori i krimeve të rënda në Gjirokastër. Ndërkohë policia po vazhdon operacionin për kapjen e katër personave të tjerë të shpallur në kërkim për të njëjtat akuza.
Pak ditë më parë Policia e Shtetit shpalli në kërkim 5 persona të dyshuar si autorë të shpërthimeve me tritol në Lazarat, të cilët akuzohen për “veprimeve me qëllime terroriste”. Këta pesë të rinj rezultojnë të jenë simpatizantë të ISIS dhe veprave të tyre. Kjo gjë vihet re po të shikosh profilet e tyre në rrjetin social Facebook, ku thuajse në të gjitha postimet që nga viti 2014 dhe deri më tani shihen fotografi me flamuj dhe simbole të grupit terrorist ISIS. Përveç fotove të luftëtarëve të ISIS, ata postojne edhe shprehje ku i japin të drejtë asaj që e quajnë “lufta e Allahut”.
Pesë personat e shpallur në kërkim, si autorë të këtyre ngjarjeve janë Arbion Adil Aliko, 20 vjeç; Alban Adil Aliko, 18 vjeç; Viktor Xhemil Aliko, 25 vjeç; Thimjo Irakli Ceka, 20 vjeç dhe Bervin Kastriot Basho, 22 vjeç. Tre prej tyre janë shpallur në kërkim që prej vitit të kaluar. “Tërësia e veprimeve kriminale e autorëve formëson gjithashtu elementë të figurës së veprës penale të kryerjes së “veprimeve me qëllime terroriste”, veprime të pasqyruara edhe ne rrjetet sociale” thuhet në deklaratën e policisë. Fshati i vënë nën kontroll nga policia pas aksionit antidrogë, u rikthye sërish në vëmendje pas 6 sulmeve të kryera me tritol në harkun kohor të një muaji. Nga hetimet e kryera rezultojnë se motivi i këtyre ngjarjeve është i lidhur me veprimtarinë policore të goditjes së elementëve kriminal gjatë operacionit policor “Lazarati 2014”.