Autobusa falas nga Gjirokastra për në Cepo, panair dhe këngë polifonike, çfarë do të ndodhë nesër në hapjen e rrugës Kardhiq-Delvinë
Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, ka bërë një ftesë publike për të marrë pjesë nesër në ceremoninë e hapjes së tunelit të Skërficës, pjesa e fundit aksit Kardhiq-Delvinë.
“Pritja e gjatë për finalizimin e rrugës që afron Gjirokastrën me Sarandën dhe çliron potenciale të jashtëzakonshme zhvillimi merr fund nesër me hapjen e tunelit të Skërficës. Ka për të qenë një ditë feste me panair të prodhimeve të zonës së Cepos, këngë popullore dhe gjithçka tjetër i duhet një ngjarje të madhe si kjo. Ju mirëpresim nesër te sheshi në hyrje të tunelit”, shkruan Golemi.
Bashkia Gjirokastër do të vendosë në dispozicion autobusa falas që nisen nga “Ura e Lumit” drejt vendit ku do të mbahet ceremonia. Nuk do të mungojnë as grupet polifonike të zonës dhe panairi me prodhimet tradicionale. I pranishëm do të jetë gjithashtu kryeministri Edi Rama, ministrat Balluku e Kumbaro, si dhe zyrtarë të tjerë të ARRSH.
Rruga Kardhiq-Delvinë nisi fillimisht në vitin 2007 kur në qeveri ishte Sali Berisha. Për plot 15 vjet ajo u zvarrit mes procedurash e mungesë financimesh, për të përfunduar pas një kohe shumë të gjatë vetëm në vitin 2022.