Avni Rustemi, historia e varrit dhe e zemrës së balsamosur
Nuk e dinte se ajo pjesëmarrje e rastësishme do të ngelej më pas si një nga dëshmitë e rralla në atë ngjarje, që është përcjellë në mënyra të ndryshme nga opinioni vlonjat. Teksa tregon për atë histori të viteve të shkuara, Agim Hametaj duket se e përjeton atë në të gjitha dimensionet.
Madje, emocionohet dhe herë herë ndalon dhe pasi mbushet me frymë, rinis sërish tregimin e vet.
Ishte viti 1962, teksa qeverisja e kohës kishte vendosur rikonstruktimin dhe zgjerimin e bulevardit Vlorë-Skelë. Pjesë e projektit ishte edhe risistemimi i vendit ku mendohej se ndodhej varri i Avni Rustemit, heroit të djalërisë vlonjate, autorit të vrasjes së Esat Pashë Toptanit, në atë ngjarje te bujshme që ndodhi në Paris, në 13 qershor të vitit 1920-të.
“Ekzistonte informacion për vendndodhjen e varrit të Avni Rustemit, pavarësisht se nuk kishte shumë detaje”, thotë 60 vjeçari Agim Hametaj, në atë kohë punonjës i ndërmarrjes së shërbimeve në qytet. Në një nga ato ditë, në rrethana dhe për arsye që nuk janë shumë të qarta, u vendos të ndërhyhej tek varri i hamendësuar i djaloshit nga Libohova, por që kishte mbetur në historinë e kombit me veprimtarinë e tij patriotike dhe me aktin e tij të pashembullt.
“Varri ishte i nëndheshëm dhe në të zbritëm përmes shkallëve. Hymë duke e shpërthyer. Në një nga tre ndarjet e varrit të gjerë, pamë diçka në një ngjyrë të zbardhur dhe vende vende të zezë. U afruam dhe… konstatuam arkivolin. Ishte i veshur me cohë prej kadifeje të zezë, mbështjellë me flamurin kombëtar, që kishte marrë një ngjyrë të verdhë dhe të zbardhur nga vitet”, thotë Agimi. Në pjesën e sipërme, arkivoli ishte prej xhami të tejdukshëm, vijon tregimin e vet 60 vjeçari, sot studiues i historisë së Vlorës. Përmes emocioneve, ai kujton ato momente kur vendosën të hapnin kapakun e arkivolit. Kishin mbetur vetëm eshtrat e veshura me lëkurë të zezë.
Sipas Hametajt, Avni Rustemi ishte zeshkan dhe kjo spikaste edhe në ngjyrën e lëkurës që kishte mbetur pothuajse e padëmtuar nga koha e gjatë. Kishin kaluar pothuajse 40 vjet nga vrasja dhe varrimi i tij dhe, në gjendjen që u gjetën eshtrat, ishte një mrekulli. Më pas, me automjetin tip “Zuk” të ndërmarrjes së shërbimeve, ato u transportuan në morgun e spitalit, ku u përpunuan dhe u mbajtën disa ditë, për t’i rikthyer sërish në vendin ku u nxorrën, por, tashmë të rregulluar.
Duke folur për elementët e veçantë të vendvarrimit të Avni Rustemit, Agimi tregon se varri ishte shumë i gjerë, me tre kthina, me dy dalje me shkallë, njera prej të cilave ishte e bllokuar. Në pjesën e sipërme, tek tavani, kishte katër dritare prej xhami, ku ishin vendosur 24 llampa elektrike, që përkonin në numër me vitin kur u varros heroi dhe që ishin lidhur me sistemin e furnizimit me energji elektrike, që vinte nga centrali i qytetit, në periferinë juglindore të tij. Në raste festash, këto llampa ndizeshin sepse ishin pjesë e dekorit festiv, duke krijuar një atmosferë të veçantë në atë zonë. Deri ne vitin 1952 në të kishte vetm një permendore.
Vendprehja, atje ku u varros trupi i tij
Avni Rustemi u vra në 22 prill të vitit 1924, nga Isuf Reçi, që e qëlloi me dy plumba në ije, si hakmarrje ndaj vrasjes së Esat Toptanit. Vrasja e tij shërbeu si frymëzim për Revolucionin Demokratik Borgjez, që triumfoi në 10 qershor të atij viti. Trupi i tij u transportua për në Vlorë, ku Avni Rustemi kishte kryer një pjesë të madhe të aktivitetit patriotik të tij. Trupi i tij që u balsamos nga mjeku i njohur i asaj kohe, dr. Shezai Çomo, drejtori i parë i spitalit të Vlorës dhe njëkohësisht daja i Avni Rustemit, u varros në një nga mjediset publike të qytetit, aty ku do të zbulohej 60 vjet më vonë dhe ku ndodhet edhe sot, pranë godinës së Teatrit “Petro Marko”.
Por, trupi dhe zemra e balsamosur e heroit të djalërisë vlonjate, patën një fat të ndryshëm. Me një komision zyrtar, sipas studiuesit Hametaj, zemra e balsamosur iu dorëzua farmacistit të njohur të asaj kohe në Vlorë, Nasho Qirko, i cili e mbajti atë në farmacinë e vet me numër 1, që ndodhej në qendër të qytetit, pranë vendit të emërtuar “Kapelja”.
Zemra e balsamosur e Avni Rustemit ka qëndruar në mjediset e asaj farmacie deri në vitin 1963. Më pas…., nuk dihet se ku ka përfunduar. Si shumë histori të tjera edhe fati i saj, mund të ketë mbetur në kulisat zyrtare të kohës, ndoshta për shkak të një synimi të caktuar, apo të paditurisë së ndonjë funksionari lokal.
Përkundër kësaj, eshtrat e Avni Rustemit prehen në vendin ku u vendos 88 vjet më parë. Fillimisht një bust modest dhe më pas një statujë prej bronzi, evokon figurën e një prej atdhetarëve më të njohur të shekullit të kaluar.
Homazhet e avokatit të tij tek varri i heroit
Agimi tregon se, në vitet e para pas çlirimit të vendit, avokati i Avni Rustemit, Anatole de Monzie, ka mbërritur në Vlorë. “Në këtë vizitë, ai u shoqërua nga Harilla Koçuli, një nga intelektualët më të njohur për kohën në Vlorë”, thotë Hametaj, duke dhënë edhe detaje të tjera nga kjo vizitë e pazakontë. Avokati i shquar, njëkohësisht personalitet në vendin e vet, si dhe shoqëruesi i tij, lëviznin në qytet me një karrocë, që i përkiste vlonjatit Ibrahim Nuredini. Kur kaluan përbri përmendores dhe varrit të Avni Rustemit, karroca qëndroi. Prej andej zbriti de Monzie, i cili me hapa të ngadaltë u drejtua për tek vendi ku preheshin eshtrat e djaloshit, studentit shqiptar, që ai mbrojti në vitin 1924, pas aktit të vrasjes së Esat Pashë Toptanit.
U përkul me nderim dhe duke psherëtirë, u shpreh për madhështinë e emrit të ish klientit të tij, të cilin gjatë mbrojtjes në gjyq, e kishte cilësuar një djalosh idealist, që ishte frymëzuar nga idealet e atdhedashurisë. Gazeta Tribuna/ 04 Qershor 2012