Banorët e pallatit i shkojnë në zyrë për takim, Zamira Rami i pret me shefin e Policisë Bashkiake (FOTO)
Kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami zhvilloi sot një takim me banorët e lagjes ‘Kodra e Shtufit’ të cilët janë evakuuar për shkak të rrezikut të shembjes së shtëpisë së tyre. Ajo i njohu ata me hapat që ka ndërmarrë për menaxhimin e kësaj situate dhe kërkesën që i ka bërë qeverisë për shpalljen e Gjendjes së Pjesshme të Emergjencës në Bashkinë Gjirokastër. I pranishëm në takim ishte edhe shefi i Policisë Bashkiake, Gramoz Llapi, i cili e shoqëron kudo kryebashkiaken, sidomos në situata të sikletshme. Kështu ndodhi edhe në takimin që Rami pati me banorët e pallatit tjetër te lagjja ‘Punëtore’ disa ditë më parë. Deri më tani s’ka informacion nëse qeveria e ka pranuar apo jo kërkesën e Bashkisë Gjirokastër, por gjasat janë që kjo kërkesë të refuzohet. Sidoqoftë jemi ende në pritje të një përgjigjeje zyrtare.