Bashkia Dropull me 3 nënkryetarë, dy të PS-së marrin rrogë më të lartë, ai që ‘ngeli’ nga LSI-ja merr 50% më pak

Në databazën e publikuar me pagat e muajit prill 2021, gjen edhe një të dhënë interesante përsa i përket Bashkisë Dropull. Sipas listëpagesës kjo bashki figuron me 3 nënkryetarë: Panajot Lulo, Panajot Dhefto dhe Mihal Mano. Deri këtu s’ka asgjë anormale. Lajmi është gjetkë, tek niveli i rrogave. Dy nënkryetarët Lulo dhe Dhefto kanë të njëjtën pagë, 86,100 lekë të reja në muaj. Ndërsa nënkryetari tjetër, Mihal Mano, rezulton me rrogë 41,300 lekë të reja në muaj.

Pra, ai paguhet rreth 50% më pak se dy kolegët e tij në të njëjtin pozicion. Përse ndodh kjo? Nëse kthehesh pas në kohë, kujtojmë që Mihal Mano ka qenën nënkryetar bashkie në Dropull deri në vitin 2019, kur këtë bashki e drejtonte Vangjel Tavo përmes Ahile Deçkës.

Mund të jemi para një rasti të tillë, që kryetari i ri i PS-së, Dhimitraq Toli, thjesht e ka mbajtur në punë Mihal Manon, i ka lënë edhe formalisht pozicionin e nënkryetarit të bashkisë, por e paguan me gjysmën e rrogës që iu jep dy nënkryetarëve të tjerë. Marrëveshje si këto, qoftë dhe për interesa elektorale janë krejt të zakonshme në Shqipëri. Me pak fjalë, Mihalit i rroftë titulli, se lekët janë për dy Panajotat./argjirolajm.net