Bashkia Dropull sqaron tenderin: S’ka lidhje me Kacifasin, 28 Tetorin ne e kemi festuar gjithmonë
Bashkia Dropull ka reaguar pas raportimeve në media për një tender me vlerë të vogël, për përgatitjen e disa banderolave me rastin e festimeve të datës 28 tetor. Ne deklaratën e shpërndarë për mediat thuhet se ky prokurim është konform ligjit dhe se s’ka asnjë lidhje me ngjarje të tjera që kanë ndodhur në këtë ditë. Ndonëse s’e përmend me emër, Bashkia Dropull i referohet këtu Kostandin Kacifasit. Pra, sipas deklaratës, nuk po kryhet asnjë shpenzim nga Bashkia Dropull për të përkujtuar 1 vjetorin e vrasjes së ekstremistit, por banderolat përgatiten për festën kombëtare të Greqisë, e cila natyrisht festohet prej vitesh edhe në minoritet.
Më poshtë deklarata e plotë e Bashkisë Dropull.
Bashkia Dropull ka ndjekur raportimet e fundit në media për çështjen e një prokurimi publik në kuadër të festimeve të datës 28 Tetor, që përkon me ditën e “JO-së”. 28 Tetori i vitit 1940 njihet në Greqi si ‘Dita e Jo-së’, ditë kur u shënua fillimi i luftës italo-greke. Që atëherë, përvjetorët e kësaj dite festohen në Greqi si festë kombëtare. Edhe minoriteti etnik grek në Shqipëri e ka përkujtuar çdo vit këtë datë. Për dijeni të mediave dhe opinionit publik, sqarojmë se prokurorimi me vlerë 14 mijë lekë të reja për përgatitjen e disa banderolave është konform ligjit.
Aktiviteti përkujtimor organizohet nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Gjirokastër, brenda territorit të Bashkisë Dropull.
Ky aktivitet i përket edhe banorëve të Bashkisë sonë, duke pasur parasysh faktin se ushtarët e vrarë grek, jo vetëm që janë bashkombasit tanë, por kanë luftuar kundër armikut të përbashkët edhe të popullit shqiptar dhe minoritetit etnik grek , kundër okupatorit fashist.
Varrezat e ushtarëve grek në Bularat janë ndërtuar me lejen e qeverisë shqiptare dhe bashkëpunimit bilateral midis Tiranës dhe Athinës zyrtare.
Ky aktivitet organizohet çdo vit, më datë 28 Tetor, në Bularat, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë dhe shtetit shqiptar.
Prokurimi publik i Bashkisë Dropull, me një vlerë shumë të vogël për më tepër, ka lidhje VETËM me aktivitetin e datës 28 Tetor për ‘Ditën e Jo-së’. Këto shpenzime që ne kryejmë si bashki, nuk përkojnë me asnjë ngjarje tjetër përkujtimore ose jo, që lidhet me këtë datë. Ne e vlerësojmë kontributin e mediave në shoqëri, por përhapja e lajmeve të rreme, gjysmë të vërtetave apo krijimi i insinuatave për axhenda të tjera, nuk i shërben as interesit publik, as ruajtjes së raporteve të shkëlqyera mes minoritetit dhe pjesës tjetër të vendit dhe as raporteve fqinjësore Shqipëri-Greqi.
Bashkia Dropull është e hapur të vërë në dispozicion të mediave dhe kujtdo personi të interesuar sipas Ligjit për të Drejtën e Informimit, të gjithë praktikën e prokurimit për festën e datës 28 tetor.