Bashkia Libohovë nderon Hamit Ruçin me titullin “Qytetar Nderi”
Patrioti Hamit Ruçi do të vlerësohet me titullin “Qytetar Nderi” i Libohovës (pas vdekjes) në fund të kësaj jave. Fillimisht ideja për nderimin e tij është hedhur në një shkrim të publikuar në Libohova Online vjeshtën e vitit të shkuar. Më pas familjarët dhe një grup qytetarësh e formalizuan këtë kërkesë për t’ja paraqitur Bashkisë Libohovë.
Ceremonia e dorëzimit të këtij titulli te familjarët e Hamit Ruçit, do të zhvillohet ditën e premte në Shtëpinë e Kulturës së Libohovës. Po kështu gjatë kësaj ceremonie do të bëhet edhe promovimi i librit “Kujtimet e një Arsimtari” me autor Ilir Spahiun, si dhe do të dorëzohen titujt e nderit për mësuesit Hasan e Shazie Spahiu.Në fund do të përkujtohet edhe Heroi i Popullit Avni Rustemi, me rastin e 91 vjetorit të vrasjes së tij.
Më poshtë mund të lexoni të plotë shkrimin e publikuar në 6 nëntor 2014 për Hamit Ruçin.
Njihuni me Hamit Ruçin, patriotin libohovit të “Vatrës”
Në rrjedhën e viteve dhe ngjarjeve, ndodh shpesh që personazhe me rëndësi brenda një konteksti të caktuar, harrohen të përmenden apo vlerësohen. I tillë është Hamit Ruçi, një patriot i shquar nga Libohova, për të cilin është folur pak. Hamit Ruçi lindi më 12 gusht të vitit 1898 në Libohovë, në një familje atdhetare. U rrit në vendlindje, në një shtëpi jo shumë larg rrapit shekullor. Në moshën 16-vjeçare, Hamit Ruçi emigroi në Amerikë. Si të gjithë emigrantët e tjerë u angazhua në punë nga më të rëndomtat dhe më të rëndat. Arriti të bëhej anëtar i shoqatës atdhetare “Vatra”, shoqatë e cila ekziston sot e kësaj dite në Amerikë. Ruçi gjatë kohës që jetonte në Amerikë, si çdo anëtar tjetër i “Vatrës”, paguante një kuotë të caktuar dollarësh për shkollat shqipe në atdhe.
Ka patur njohje personale me dy personalitetet shqiptare të asaj kohe, Fan Noli e Faik Konica. Madje studiuesit thonë se ka dëshmi që Hamit Ruçi është takuar edhe me gruan e Presidentit Amerikan, Ëillson, falë të cilit Shqipëria nuk u copëtua më tej në ato vite. Hamit Ruçi ishte një personalitet i shkolluar në mënyrë autodidakte dhe i lidhur ngushtë me çështjen shqiptare. Në vitin 1920 boton në Pitsburg të Amerikës një libër poetik të quajtur “Ngjarjet e tmerruara”. Një kopje e këtij libri gjendet sot edhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Vepra është shkruar me stil popullor, ku mes dhjetra poezive, Hamit Ruçi shpreh shqetësimin për fatet e Shqipërisë të kërcënuar asokohe nga Lufta e Parë Botërore.
Po kështu libri ka edhe dëshmi të shkatërrimeve dhe vrasjeve që ushtria shoviniste greke ka bërë asokohe në jug të vendit dhe në Libohovë. Ndër të tjera në libër është edhe një fotografi e rrallë e Libohovës se atyre viteve. Ka poezi për emigracionin dhe për rolin shpëtimtar të Amerikës për fatet e Shqipërisë. Në vitin 1929 Hamit Ruci kthehet nga Amerika. Me ato pak kursime që kishte mbledhur në emigracion ndërtoi një shtëpi. Gjatë gjithë kohës ishte përkrahës i lëvizjeve për lirinë e atdheut. Më 1940, gjatë Luftës Italo-Greke, u internua në Kuç të Labërisë, pastaj në Fterrë dhe në Borsh. Për shkak të poezive që kishte shkruar, ku dëshmohej djegia e jugut të Shqipërisë nga andartët grekë gjatë Luftës së Parë Botërore, Hamit Ruçi u anatemua si njeri antigrek.
Vajza e tij që aktualisht jeton në Tiranë, ruan me fanatizëm një shami dore, ku me laps kopjativ, Hamit Ruçi ka shkruar këto fjalë: “Jam mirë, ndodhem në malet e Kuçit, mos kini merak”. Më vonë ai largohet nga vendi i internimit dhe kthehet në Libohovë. Në shtëpinë e tij u strehua një nga partizanët më trima të Kuçit, Nuri Luçi. Shpirtërisht Hamit Ruçi ishte me forcat partizane, por vetë nuk doli të luftonte si partizan dhe as u bashkua me forca të tjera politike të kohës siç ishte Balli Kombëtar. Edhe pas çlirimit Hamit Ruçi u pa me dyshim për shkak të të qënit anëtar i “Vatrës” dhe për shkak të shkrimeve të tij ku lavdërohej presidentit amerikan Ëillson. Ai u la si një punëtor i thjeshtë derisa ndërroi jetë në Vlorë në vitin 1970, pa asnjë jehonë apo nderim të veçantë. Për t’u ndalur te nderimi, ndoshta do të ishte e udhës që Bashkia Libohovë në një formë apo një tjetër të nderonte edhe Hamit Ruçin. Ndoshta t’i akordohej një titull mirënjohje.