Bashkia Libohovë në mbështetje të protestës së opozitës

protesta

Për të ftuar qytetarët në protestën e opozitës në Tiranë më 22 nëntor, por edhe për ta mbështetur këtë protestë, Bashkia Libohova ka shpërndarë në faqen e saj në Facebook një prej posterave që qarkullojnë së fundmi në rrjetet sociale, ku njoftohen qytetarët për protestën. Shpërndarja e këtij posteri është bërë nga faqja në Facebook e deputetes demokrate të Vlorës, Liliana Elmazi.

Siç është njoftuar prej ditësh opozita do të protestojë në kryeqytet këtë të shtunë kundër varfërisë, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe kundër paligjshmërisë. Padiskutim që kjo është e drejta e saj demokratike dhe protesta në vetëvete është mjet demokratik për arritjen e qëllimeve.

Çështja qëndron se përmes një faqeje zyrtare që i përket Bashkisë Libohovë,  nuk mund të ndjellësh protesta apo të bësh politikën një partie të caktuar. Bashkia është një institucion i të gjithëve dhe pavarësisht se drejtohet nga përfaqësues të një force politike, ajo duhet të përfaqësojë gjithë qytetarët, qofshin të djathtë, të majtë, të qendërs apo të paparti fare. Në këtë kontekst, faqja zyrtare e bashkisë nuk mund të përdoret për politikën apo kauzat e partisë, cilado qoftë kjo parti.

Bashkia e Tiranës drejtohet po nga kreu i opozitës, Lulzim Basha. Nëse shikon faqen zyrtare në Facebok të kësaj bashkie, nuk ka asnjë postim për protestën e 22 nëntorit apo për cështje të tjera politike të opozitës. Thjesht është një faqe ku pasqyrohen aktivitetet dhe veprimtaritë e bashkisë dhe titullarëve të saj, jo aktivitetet e Partisë Demokratike. Këto të fundit pasqyrohen në profilin zyrtar të kryetarit Lulzim Basha dhe në faqen e partisë.

Pra, tjetër gjë bashkia dhe tjetër gjë partia. Faqja e bashkisë i përket të gjithëve dhe nuk duhet ngatërruar me faqen e partisë, cilado qoftë kja parti. Institucionet janë të qytetarëve, partitë ikin e vijnë bashkë me drejtuesit dhe kauzat e tyre. Ky është standardi që duhet të mbrojmë dhe inkurajojmë të gjithë.