Berisha ka shkuar në Lazarat me helikopter në vitin 2012?
Gjatë seancës së sotme në Kuvend nuk kanë munguar debatet mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës lidhur me Majorin Sokol Feka i cili humbi jetën në Spanjë teksa po transportonte lëndë narkotike. Deputeti i PS, Taulant Balla akuzoi ish-kryeministrin Berisha se në vitin 2012 nga baza ajrore e Farkës kishte udhëtuar me helikopter bashkë me Sokol Fekën për në Gjirokastër dhe sipas Ballës rrezik ishin ndalur në Lazarat: Më poshte debati mes Ballës dhe Berishës:
Taulant Balla
“Unë kam këtu një procesverbal, datë 24 mars ora 09:07 minuta baza e Farkës, fluturimi Tiranë-Gjirokastër, pilot Sokol Feka në bordin e helikopterit kryeministri Berisha plus një oficer shoqërimi i kryeministrit . Tani ti që akuzon ministren aktuale të Mbrojtjes ç’punë ke pasur të fluturosh me këtë zotin Feka më 24 mars të viti 2012 ora 09:07… dhe sa të bukur e paske pasur fluturimin, nga Tirana në Gjirokastër afër Lazaratit, rrezik je ulur në Lazarat. Tani përpara se të akuzosh ministren e Mbrojtjes për gjëra të pa qena, pse nuk jep përgjigje nga 2005-2013 ky majori ka qenë 5 herë dekoruar dhe 5 herë i dënuar nga Gjykatat e vendit, pse ti dhe ish- ministrat e tu të Mbrojtjes nuk e kanë larguar zotëri. Por cohesh dhe hedh bomba, se ja ke marrë dorën bombave, kundër ministres së Mbrojtjes kundër qeverisë për akuza të paqenë. I vetmi njeri që nuk duhet të akzojë FA je ti. FA janë dinjiteti i një kombi, po qe se nuk e ke mësuar kaq vite, 8 vjet kryeministër 5 vjet president dhe pjesën tjetër kryetar i opozitës, mësoje sot.”
Sali Berisha
“Drejtuesit e saj ushtarakë që rëndom i thërrasin “gjeneral trafiku“ kanë nisur një beteje amorale të turpshme ndaj komandantit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Ky zotri që është një mashtrues i lejoji vetes që të mbështesë paketën ligjore me gjithë kundërshtitë. Më kreun e ushtrisë dominon një korrupsioni i paimagjinueshëm. Mjafton tu them se në tenderin e karburanteve 150 mijë litra mbahen te kompania në depon e saj në kundërshtim me rregullat që duhen të mbahen në magazinat e ushtrisë. Se cfarë pazarsh bën ministrja dhe gjeneral trafiku me karburantet atë duhet ta vërtetojmë në të ardhmen. Dhjetëra mijëra metra tokë të Ushtrisë janë ndarë mes drejtuesve . Dosja do shkojë në prokurori. Ministren rëndomë e thërrasin në FA “Ministrja pilote”, “Mimi Feka” etj etj. Zonjë je e pudrosur nga major Feka, me ato pluhrat që transportonte. Ai gjatë periudhës sonë ai u disiplinua, ndërsa gjatë periudhës suaj përkundrazi shkëputej nga misionet që dërgohej dhe nuk raportohej, dhe këtu dil e thuhet se nuk keni asnjë përgjegjësi. Ushtria e NATO-s nuk i lejon kurrë krime kundër njerëzimit, as genocide, ajo vepron mbi bazën e konventav e ndërkombëtare.”