Berisha në Libohovë: Më 14 maj do t’i presim biletën Ramës
Ish-kryeministri Sali Berisha ditën e sotme ka prezantuar kandidatin për Bashkinë Libohovë, Adil Xhelili. Në fjalën e tij Berisha tha populli opozitar do t’i presë biletën Ramës. Por ai ka edhe një takim me drejtësinë amerikane, pasi e pret McGonigal. I pranishëm në sallë ishte edhe Spiro Ksera, ish-ministri i tij i dënuar për korrupsion dhe shpërdorim fondesh.
“Këtu në Libohovë në këtë sallë dhe tek rrapi kam paraqitur shumë herë kandidatë për kryetar bashkie, kandidatë për deputetë. Por kësaj here vij me kënaqësi të veçantë, se paraqes para jush kandidatin tuaj, kandidatin e votës suaj të lirë, kandidatin e dinjitetit tuaj. Dhe ky është standardi më i mirë demokratik, njëlloj siç vendosëm në vitin ’90 pluralizmin në Shqipëri, kësaj radhë vendosëm pluralitetin në zgjedhje nga ju të kandidatëve për qytetarë të parë të bashkive të vendit.
Ndodh rëndomë që dy vëllezër, njëri të jetë në një parti, tjetri të jetë në një parti tjetër. Ndodh, dhe ka ndodhur edhe me ne që kryetarin e PD, ishte kryetar PD, të shoqen e kishte anëtare të partisë tjetër. Këto janë për njerëzit e emancipuar gjëra normale. Por tani dua të them dy fjalë këtu.
Z.Xhelili vjen para jush dhe para qytetarëve të Libohovës në një proces dinjitoz, me një proces të hapur. Ka dalë para jush dhe ju ka kërkuar besimin, ju ka kërkuar votën, ju ka shprehur mendimet. Ai kandidati tjetër, vjen para jush as më pas e as më shumë sesa kandidat i ndrikull Kumbaros”, tha Berisha ndër të tjera.