Betohet Nardi Hide, nis detyrën si kryetar i Bashkisë Libohovë
Leonard Hide është betuar sot si kryetari i ri Bashkisë Libohovë. Ai mori detyrën nga Luiza Mandi, e cila e drejtoi Libohovën për dy mandate me radhë prej vitit 2015. Po kështu sot është bërë edhe konstituimi i Këshillit Bashkiak Libohovë. E pranishme ishte edhe ministrja Mirela Kumbaro, njëherazi drejtuese politike e PS në qarkun Gjirokastër.
Drejtues i tij u zgjodh Asim Banushi nga Partia Socialiste ndërsa nënkryetare Behare Shehu po nga PS. Pro tyre votuan edhe anëtarë të opozitës. Emin Beqari është zgjedhur si përfaqësues i Bashkisë Libohovë në Këshillin e Qarkut Gjirokastër.
Sekretari i Këshillit do të zgjidhet në mbledhjen e radhës. Leonard Hide fitoi zgjedhjet e 14 majit në Libohovë me mbi 100 vota përballë Adil Xhelilit të Partisë Demokratike.