Bilanci/ L’equipe tregon pikat ku mund të mposhtet Shqipëria
E përditshmja më e madhe sportive në Francë i ka kushtuar plot 16 faqendeshjes së sotme Francë-Shqipëri (ora 21).
Ajo ka bërë edhe një bilanc të pikave të dobta të djemve të De Biazit duke u nisur nga paraqitja e tyre në përballjen me Zvicrën. Ajo ka dedektuar tre pika ku kombëtrja jonë mund të thyhet.
1)Loja me kokë
Zvicra bëri diferencën falë golit me kokë të Schar i cili përfitoi në një korne, si nga rrëshkitja e kundërshtarit të tij direkt, po ashtu edhe nga dalja e gabuar e Berishës i cili është fantastik në vijën e tij të portës, por ka problem me lojën në ajër. Në mbrojtje Shqipëria luan me markim individual, por ajo nuk ka lojtarë të fortë në lojën në ajër që mund ta bëjnë atë të sigurtë nga mbrapa. Në tre ndeshjet e fundit ajo ka pësuar sistematikisht gola që vinin nga goditje standarte.
2)Të lëvizësh nga vendi Kukelin
Në letër organizimi i De Biasit parashikon pritjen e kundërshtarëve larg nga porta për të arritur një perimetër sigurie. Mesfushori roje para mbrojtjes Kukeli është shumë i aftë të spastrojë zonën pas kurrizit të mesfushorëve. Por lojtari i FC Zyrihut shpesh harron dhe ndjek kundërshtarin direkt që ka në atë zonë. Franca duhet të ketë parasysh që t’i lërë një lojtar provokues për ta “lëvizur” atë nga vendi.
3) T’i bëjmë të vrapojnë
Shqipëria luajti për gati një orë me dhjetë lojtarë kundër Zvicrës. Duke ditur se ata kanë pasur një ditë më pak pushim sesa Franca, ata do të jenë më të lodhur. Prandaj blutë duhet të qarkullojnë shumë topin me shpresë që t’i lodhin shqiptarët.
Sadiku, pika e fortë
Sipas L’Equipe, në ndeshjen me Zvicrën Armando Sadiku e bezdisi shumë mbrojtjen Helvete. Gazeta bën një krahasim të sulmuesit shqiptar me qëndër sulmuesit më të mëdhenj që kanë luajtur në ndeshjet e para të Euros. Sulmuesi i Vaduzit ka dhënë shumë më tepër pasa të sakta sesa Manzukiç, Giroud dhe Diouba i Rusisë. Ai renditet me 82% pasa të sakta (10 % më shumë se të tjerët) dhe me 71% të tilla në zonën e 30 metrave të sulmit.
Sipas të përditshmes aftësia e tij është të depërtonte mes dy mbrojtësave qëndrorë zvicerianë zakonisht pas kroseve të Elseid Hysajt. Megjithëse ai i humbi rastet para portës, ai e vuri Zvicrën në shumë vështirësi.
/LAPSI.AL/